Kuvendi nuk arrin të miratojë raportin e AKP-së
Prishtinë, 20 dhjetor - Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetët dështuan që ta miratojnë raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), për vitin 2012, pasi shumica e ligjvënësve të pranishëm në seancë votuan kundër.
Për miratimin e këtij raporti votuan 19 deputetë, 38 u deklaruan kundër, ndërsa 5 deputetë abstenuan.
Gjatë debatit, ligjvënësit theksuan se mungesa e kompletimit të bordit të AKP-së, po i shkakton probleme kësaj agjencie që të kryejë të gjitha punët që i ka në kompetencë. Ata thanë se si shkak i kësaj, as punëtorët e ndërmarrjeve që janë privatizuar nuk po mund ti marrin 20 përqindëshin edhe pas sa viteve që ato ndërmarrje janë privatizuar.
Ali Sadriu, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se mungesa e bordit të drejtorëve të AKP-së ka shkaktuar vonesa të nënshkrimit të kontratave, por edhe dhënies së 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve që janë privatizuar.
Gjatë shqyrtimit të raportit Komisioni ka konstatuar se vendet boshe të anëtarëve të bordit të drejtorëve kanë penguar vendimmarrjen formale, deklaroi Sadriu, citon RTK. Në emër të PDK-së, deputetja Valbona Dibra tha se partia e saj ka shqyrtuar raportin e AKP-së dhe paraqet në mënyrë të detajuar aktivitetet dhe sfidat e AKP-së gjatë vitit 2012.
Edhe deputetja Teuta Sahatçiu, e cila foli në emër të LDK-së, theksoi se shkak i mungesë së kompletimit të bordit të AKP-së punëtorët nuk po mund të marrin 20 përqindëshin.
Edhe pse është kërkuar që Qeveria të kryejë detyrën e saj të bëjë kompletimin e bordit të AKP-së, si nga ana ime në Komision edhe në seancë, por edhe si rekomandim i komisionit, ky bord vazhdon të mbetet i gjymtë dhe shumë punëtorë nuk kanë mundësi të marrin 20 përqindëshin nga privatizimi i ndërmarrjeve të tyre, gjë që iu takon me ligj.\"
\"Dhe në këtë pikë shohim një pakujdesi të madhe nga ana e Qeverisë, e cila po lejon që me muaj të tërë ky bord të mbetet pa u plotësuar dhe pa mundësi që të kryejë detyrën e vet, tha Sahatçiu.
Derisa Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha së është një mangësi që po e përcjell secilin raport, e që është fshehja e të vërtetave dhe me të vërteta gjysmake, me të cilët nuk mund të operojnë dhe të vlerësojnë punën e një agjencie.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se nëse e shohin gjendjen e ndërmarrjeve të privatizuara, atëherë e shohin punën e dështuar të kësaj agjencie. Derisa bëri me dije se AAK-ja nuk do ta votojë raportin vjetor të AKP-së.
Ndërsa, Myzejene Selmani nga Koalicioni për Kosovë të Re tha se që nga vdekja e kryetarit të bordit të AKP-së, Dino Asanaj, kjo agjenci ka mbetur gjithherë pa bord të kompletuar dhe është parë se AKP-ja nuk ka mundur të funksionojë si duhet.