Kuvendi nderoi figurën e kryetarit të AKP-së, Dino Asanaj
Prishtinë, 15 qershor - Me një minutë heshtjeje, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme komemorative, nderuan figurën e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj i cili ndërroi jetë të enjten pas plagëve të shkaktuara me thikë.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e vlerësoi lart kontributin politik, atdhetar dhe profesional të Asanajt, ndërsa tha se kulmin në karrierën politike e arriti si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të një rëndësie të veçantë kanë qenë veprimet e pareshtura që ai bëri për afirmimin e luftës sonë çlirimtare në qarqet politike e diplomatike në SHBA dhe për përfaqësimin e Kosovës e të interesave të saj menjëherë pas çlirimit, tha Krasniqi.
Duke folur për angazhimin e Asanajt si kryetar i Bordit të AKP-së, Krasniqi tha se ai ishte i ndërgjegjshëm për kompleksitetin e këtij misioni dhe për rëndësinë jetike që ka procesi i privatizimit në fazën e tranzicionit zhvillimor të një vendi të rrënuar ekonomikisht siç ishte Kosova.
Dino Asanaj ishte një punëtor dhe mik i dashur dhe duhet thënë këtu që me virtytet e tij të larta ai kishte shumë miq, të cilëve do tu mungojë gjatë. Ai do ti mungojë edhe Kosovës, për të cilën u angazhua aq shumë dhe aq gjatë, u shpreh Krasniqi.
Pas seancës komemorative, deputetët u nënshkruan në librin e zisë në hollin e Kuvendit të Kosovës. Dino Asanaj, vdiq të enjten në moshën 55 vjeçare nga plagët e shkaktuara nga therrja me thikë në fyt dhe në zemër. Motivi i vrasjes nuk dihet ende, ndërsa policia nuk ka arrestuar asnjë person deri më tani lidhur me këtë rast.
Dino Asanaj, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1985. Gjatë luftës së Kosovës Asanaj veproi si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ishte angazhuar edhe si këshilltar i delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujesë.
Pas luftës ai shërbeu si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë, u emërua në postin e drejtorit të bordit të Agjencisë kosovare të Privatizimit.