Kuvendi mund të shpërbëhet në prill
Prishtinë, 3 mars - Njohësi i çështjeve kushtetuese, profesor Xhavit Shala, ka thënë se Kuvendi i Kosovës mund të shpërbëhet në fund të muajit prill ose në fillim të majit, në rast se përfaqësuesit e partive dakordohen që zgjedhjet parlamentare në Kosovë të mbahen në qershor.
E njohësi i çështjeve elektorale, profesor Mazllum Baraliu, ka thënë se në këtë fazë nuk mund të flitet se në cilin muaj mund të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës. Sipas tij, në këtë fazë është e rëndësishme që partitë politike të arrijnë konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve.
Nëse subjektet dakordohen për të mbajtur zgjedhje parlamentare në fillim të qershorit atëherë kjo i bie që në fund të prillit apo fillim të majit duhet të ndërmerret një veprim i tillë, vetëshpërndarje apo rrëzim i Qeverisë. Kur ndodh një veprim i tillë, vetëshpërndarje të Kuvendit apo rrëzim të Qeverisë, presidentja me dekret cakton datën e zgjedhjeve, ka thënë Shala, duke treguar variantet se si mund të shpërbëhet Kuvendi, shkruan Epoka e re.
Çështja e mandatit dhe përfundimit para kohe të tij është e përcaktuar me Kushtetutë. Në rastet kur mandati përfundon para kohe, ai vjen për disa arsye: kur ka mocion të suksesshëm të votëbesimit të Qeverisë, do të thotë, rrëzimi i Qeverisë, kur për shpërndarje të Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe kur Kuvendi nuk e zgjedh presidentin dhe Qeverinë brenda afatit kushtetues. Në të gjitha këto raste vjen deri te zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditëve, është shprehur Shala.
Ai ka thënë se në rast se bllokohet gjithçka në Kuvend atëherë rruga e vetme janë zgjedhjet. Nëse vlerësohen rrethanat dhe proceset politike në të cilat po kalojmë, lëvizjet e reja politike, humbja e mazhorancës në Kuvend, por edhe pamundësia e opozitës për ta pasur shumicën, atëherë vetëm një marrëveshje politike e pozitës dhe opozitës mund ta përmbyllë suksesshëm mandatin e plotë 4-vjeçar. Kur ky vullnet nuk ekziston atëherë rruga e vetme është ti drejtohemi sovranit, zgjedhësve për ti zgjedhur përfaqësuesit e ri apo legjislaturën e re, ka deklaruar Shala.
Shala ka thënë se më mirë do të ishte që zgjedhjet të mbahen para muajit qershor. Sa iu përket kushteve, se a janë pjekur apo jo ato, edhe këtu nuk kemi parë një seriozitet për ti përmbushur rekomandimet e Komisionit Evropian për një reformë të mirëfilltë zgjedhore. Jam i mendimit se më mirë të shkohet në zgjedhje sesa të shkohet në kriza institucionale, kur institucionet nuk kanë kuorum për ta kryer mandatin e tyre kushtetuese. Nuk është e thënë që zgjedhjet të mbahen në qershor, më mirë do të ishte të mbahen në fund të prillit apo majit, por kjo do të varet edhe nga proceset që do të zhvillohen brenda subjekteve politike, ka thënë Shala.
Edhe njohësi i çështjeve elektorale, Mazllum Baraliu, ka folur për variantet se kur mund të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës i cili do tu haptë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare. Ai ka deklaruar për Epokën e re se në këtë fazë është vështirë të dihet se kur mund të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.
Tani as nuk mund të parashikohet e as nuk mund të ndodhë shpërndarja e Kuvendit sepse koalicioni qeverisës vazhdon ti çojë përpara proceset, kuptohet, ato që janë më të lehta. Por nëse kalon mocioni i AAK-së, atëherë mund të ndodhë shpërndarja, ka thënë Baraliu. Ai ka thënë se Kuvendi nuk mund të shpërndahet sipas tekeve personale.
Kuvendi i Kosovës nuk mund të shpërbëhet në bazë të kërkesave joformale, të partive të cilat dëshirojnë ta rrëzojnë Qeverinë dhe ta imponojnë shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Shpërbërja e Kuvendit ndodh atëherë kur koalicioni qeverisës nuk i ka numrat për të ecur tutje. Shpërbërja e Kuvendit nuk mund të ndodhë automatikisht dhe me dëshirën e dikujt, sepse ka procedura se si mund të bëhet një gjë e tillë. Një prej tyre është edhe mocioni i mosbesimit, ka theksuar Baraliu.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se partitë politike opozitare janë ende në fazën e konsultimeve për agjendën zgjedhore. LDK-ja si paria më e madhe opozitare ka filluar konsultat fillimisht me PDK-në, tani me partitë e tjera. Varësisht nga debati dhe marrëveshja që mund të arrihet mund të imponohet një datë më herët sesa qershori. Data e zgjedhjeve duhet të vijë si rezultat i konsensusit partiak, ka deklaruar Baraliu, duke shtuar se zgjedhjet parlamentare do të jenë të parakohshme në rast se ato mbahen më së largu deri në muajin qershor.
Kurdo që caktohen këto zgjedhje, në prill, maj ose qershor, zgjedhjet parlamentare do të jenë të parakohshme. Me fjalë të tjera, zgjedhjet do të varën nga përfundimi i dialogut që janë duke bërë paritë opozitare dhe nga presioni që këto mund tia bëjnë Kuvendit dhe koalicionit qeverisës, ka thënë Baraliu.