Kuvendi miraton tri projektligje
Prishtnë, 14 prill - Në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë miratuar në parim projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për tokën bujqësore, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kimikate dhe projektligjin për ushqim.
Ndërkaq, në mungesë të deputetëve nga komuniteti serb, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale nuk është hedhur në votim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca theksoi se për këtë projektligj kërkohet që patjetër të votohet edhe prej deputetëve serbë.
“Lidhur me këto të mbeturat, e kemi pasur votimin në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale, mirëpo ky është ligj i karakterit vital, që quhet në Republikën e Kosovës. Prandaj, patjetër duhet të votohet edhe prej deputetëve të komunitetit serb, kështu që meqenëse ata nuk janë të pranishëm e lëmë këtë projektligj”, theksoi ai.
Fillimisht për votimin e tri projektligjeve të cekura më lartë nuk pati kuorum, dhe ato u votuan në tentativën e tretë, pasi që deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim.
Për këtë kryeparlamentari Konjufca, kërkoi nga deputetët e mazhorancës që mos të tallën.
“Sërish nuk kemi kuorum, mazhoranca mos bëni hajgare. Vazhdojmë me projektligje të tjera”, tha Konjufca.
Tani Kuvendi po shqyrton në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura.