Kuvendi miraton Projektligjin për gjykimin në mungesë për krime lufte
Prishtinë, 25 tetor - Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! paraqiti në Kuvendin e Kosovës ndryshimin e Kodit e Procedurës Penale me qëllim sanksionimin e gjykimit në mungesë të rasteve për krime lufte.
Sot kjo iniciativë në seancën plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kaloi në parim.
Institucionet e drejtësisë për këto 20 vite të pas luftës posedojnë me qindra e mijëra faqe dëshmi e dosje hetimi për kriminelët e luftës.
Arsyetimi i deritashëm për mosprocedim të tyre ka qenë çdo herë refuzimi total nga Serbia për t’i dorëzuar kriminelët e luftës.
Projektligji i propozuar nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! që mori mbështetjen e deputetëve i hap rrugë Prokurorisë së Republikës së Kosovës dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi që të vijojë me gjykimin e dënimin të kriminelëve të luftës bazuar në dëshmitë të cilat pa vonesë duhet të riaktualizohen e përgatiten nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! është duke përgatitur bazën ligjore e nisma mbështetëse për hartimin e projektligjit për dokumentimin e krimeve të luftës.