Kuvendi miraton Ligjin për Administratën shtetërore
Prishtinë, 15 prill - Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar për herë të parë pesë projektligje. Me 30 vota për, 28 kundër dhe 7 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Ligjin për Administratën shtetërore, megjithëse deputetët e opozitës votuan kundër, pasi sipas tyre edhe pse ky ligj është kthyer një herë për plotësim dhe përmirësim, sërish është sjellë në Kuvend pa asnjë ndryshim.
Projektligjin për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, e ka prezantuar ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri, e cila ka theksuar nevojën e modernizimit dhe të funksionalizimit të administratës shtetërore të Kosovës. Megjithëse projektligji ka zgjuar debat të gjerë ndër deputetë, si dhe kritika të shumta për përfshirjen në të vetëm të administratës së Qeverisë, e duke e anashkaluar atë të Kuvendit dhe të Presidentit, projektligji është miratuar me numrin minimal të votave të deputetëve. Madje kryeparlamentari Krasniqi ka pasur vërejtje për mungesën në seancë të anëtarëve të komisionit funksional për këtë projektligj, të cilët gjendeshin për vizitë jashtë vendit, pikërisht në kohen kur shqyrtohet ky projektligj.
Deputeti nga radhët e LDD-së, Naser Rugova, tha se ky ligj ka shumë mangësi, nuk është sjell për miratim në pako siç iu është thënë, por i vetëm dhe po ngjallë paqartësi. Ky ligj është sjell i vetëm e jo në pako së bashku me Ligjin për qeverinë dhe për shërbyesit civil, që më pas të jetë më i qartë dhe të dimë çka po miratojmë, tha ai.
Të njëjtën vërejtje e ka bërë edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, i cili tha se ka pritur që Ligji për Administratën shtetërore të sillet së bashku në pako me Ligjin për Qeverinë, pasi vetëm Ligji për Administratën shtetërore është shumë konfuz.
Ndërkaq deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi paraqiti vërejtje në disa nene të këtij ligji, e që sipas saj, duhet të kthehet. Qeveria duhet të ketë kujdes në sjelljen e ligjeve të tilla, që mos të detyrohen deputetët ti kthejnë mbrapsht, tha ajo.
Ish ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, tha se ligji është hartuar në bazë të normave dhe rregullave ndërkombëtare. Me këtë ligj sipas tij, bëhet rregullimi i administratës në nivelin e ekzekutivit, por nuk hyn në detaje, sepse Ligji për qeverinë rregullon më pas specifikat.
Nuk ka ligj ideal, ndërkaq vërejtjet dhe sugjerimet duhet ta plotësojnë një ligj, siç ndodh çdo kund. Po të ishte ligji ideal, nuk do të kishte nevojë as për debat dhe komente, tha ai.
Ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri, falënderoi deputetët e Kuvendit për kontributin e tyre që kanë dhënë për këtë ligj. Dëgjova debatin për propozimet për këtë ligj, por po të ishte i përkryer nuk do të kishte edhe debat, tha ajo.
Ajo theksoi se e kanë obligim që sa më shpejtë të plotësohet korniza ligjore, ndërsa vlerësoi se me urgjencë do të punojnë për ligjet tjera të administratës publike.
Ndryshe, PDK dhe LDK, pas disa komenteve rreth këtij ligji e mbështeten atë në parim, ndërkaq partitë opozitare votuan kundër. Me 30 vota për, 28 kundër dhe 7 abstenime Ligji për Administratën shtetërore u miratua në parim.
Në vazhdim, ministri i Bujqësisë, Bleran Stavileci, e ka prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore, i cili është miratuar gjithashtu në parim.
Duke e prezantuar Projektligjin për gjykatat, ministri i drejtësisë, Haki Demoli, ka theksuar se projektligji është hartuar në frymën e reformimit të sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe të për përcaktimit më të mirë të kompetencave dhe të përgjegjësive të të gjitha nivelet e gjykatave (gjykatave themelore, Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme). Edhe ky projektligj është miratuar në parim.
Projektligjin për grevat e ka prezantuar ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinopr, Mahir Yagcilar. Shumë nga deputetët kanë kërkuar që projektligji të mos miratohet para se të miratohet Ligji për Punën dhe Ligji për organizimin sindikal. Projektligji është miratuar me shumicë votash, siç ka ngjarë edhe me Projektligjin për energjinë elektrike, të cilin e ka prezantuar ministrja e Energjetikës, Justina Shiroka- Pula.
Fare në fillim të seancës kryeministri Thaçi dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar: Shala, Yagcilar, Rashiq, Hoxhaj, Zharku, Bukoshi dhe Tahiri u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për punët e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kurse kryeparlamentari Krasniqi ka përshëndetur pjesëmarrjen në një pjesë të seancës të kryetarëve dhe nënkryetarëve, si dhe të asamblesistëve të katër komunave të Kosovës: Graçanicë, Shterpcë Ranillug dhe Kllokot, të cilët edhe i ka pritur në një takim të veçantë. Kreu i Kuvendit, ndërkaq, i ka njoftuar deputetët, si sipas vendimit të Grupit Parlamentar të LDK-së, kryetar i këtij grupi që nga sot do të jetë deputeti Ismet Beqiri.
Seanca i vazhdon punimet të premten, në orën 10:00.