Kuvendi miratoi rezolutën për bisedime me Beogradin
Prishtinë, 10 mars - Me 63 vota pro 48 kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për bisedime me Serbinë, të cilën e ka propozuar grupi Parlamentar i PDK-së. Kjo rezolutë nuk është përkrahur nga LDK-ja, AAK-ja dhe Vetvendosja.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci tha para deputetëve se grupet parlamentare nuk kanë arritur të harmonizojnë qëndrimet e tyre, prandaj ai propozoi që të hudhet në votim projektrezoluta e propozuar nga PDK-ja në seancën e kaluar me të cilën i jepet përkrahje bisedimeve me Serbinë.
Grabovci nga Grupi parlamentar i PDK-së, tha se kjo parti e përkrah rezolutën e cila i jep të drejtë Kuvendit të Kosovës të kërkojë sqarime qeverisë lidhur me bisedimet në çdo kohë, si dhe të mbikëqyrë bisedimet me Serbinë.
Kuvendi i Kosovës ka zhvendosur votimin e rezolutës për bisedimet me Serbinë si pikën e fundit të rendit të ditës.