Kuvendi miratoi rezolutë për mbrojtjen e sovranitetit
Prishtinë, 28 korrik - Parlamenti i Republikës së Kosovës, gjatë një seancë të jashtëzakonshme te mbajtur sot për gjendjen e krijuar në veri të vendit, miratoi rezolutën për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.
Rezoluta e cila u votua me 89 vota për dhe 9 kundër, i jep plotësisht mbështetje Qeverisë së Kosovës në vendosjen e rendit në veri, ndërkohë që i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.
Rezoluta e miratuar në Parlamentin e Kosovës mbështet të drejtën kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e shtetit, kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore etj.
Gjatë seancën së sotme të jashtëzakonshme parlamentare, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se veprimet e dhunshme në veri janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequr nga strukturat me të larta politike të Qeverisë së Serbisë.
Kjo është vërtet për të ardhur keq. Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë veprime të menjëhershme qysh sot, për të riparuar logjistikën e dëmtuar në pikën 1, me qëllim që aty të dërgohen përsëri oficerët e policisë kufitare të Kosovës, së bashku me doganierët, ka thënë Thaçi, për të shtuar se në pikën kufitare 31 Policia kufitare e Kosovës së bashku me doganierët tanë, janë duke kryer punën e tyre, ndërsa KFOR është duke ofruar siguri.