Kuvendi me seancë të veçantë për nder të presidentit të Shqipërisë
Prishtinë, 22 korrik - Nën udhëheqjen e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë të veçantë për nder të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Kosovë, në vizitën e tij të fundit në cilësi të presidentit.
Seanca filloi me intonimin e dy himneve, himnit kombëtar dhe himnit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Duke i uruar presidentit Meta mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetari Konjufca e falënderoi atë për gatishmërinë dhe e ftoi për t’iu drejtuar deputetëve me një fjalë rasti.
Në adresimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidenti Ilir Meta tha se kthimi në parlament pas pesë vitesh e gjen Kosovën me zhvillime madhore, si në ndërtimin e institucioneve demokratike, ashtu edhe në arritje të konsiderueshme në rrafshin ndërkombëtar.
Presidenti Meta tha se shteti i ri i Kosovës në shumë drejtime është shembull edhe për vendet e tjera të rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri- Kosovë i ka rrënjët tek gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm, nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek Adem Jashari, nga Ismail Qemali tek Ibrahim Rugova”, tha presidenti Meta.
Kreu i shtetit shqiptar theksoi po ashtu se Kosova është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, duke hedhur themele të forta dhe të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar kështu vlerat dhe parimet më të larta demokratike, përkushtimin në funksionimin e demokracisë parlamentare, balancën e pushteteve dhe sundimin e ligjit.
Për më tepër, Meta tha se Shqipëria e mbështet fuqimisht çdo përpjeke të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, por që ka hapësirë të kontribuojë akoma më shumë.
“Shqipëria i ka mundësitë dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit në BE, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi presidenti shqiptar.
Meta tha se të dyja vendet tona duhet të mendojnë dhe bashkëpunojnë edhe në mënyrë më strategjike se deri tani, duke shtuar se përparimi drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë mision parësor dhe i palëkundur.
Tutje, presidenti Meta potencoi se Kosovës duhet t’i hiqet sa më parë regjimi i vizave, duke thënë se shtetet që nuk e kanë njohur ende atë duhet të binden për ta bërë një gjë të tillë, pasi Kosova është rast sui generis.
Ai foli edhe për rëndësinë dhe pastërtinë e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë, por të qëndrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen. Historia na e jep çdo të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK-së, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur siç e meriton. Të mbështesim kauzën heroike të luftëtarëve për tu mbrojtur dhe çliruar nga gjenocidi. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima dhe viktimat në agresorë. Kosova është jo vetëm faktor paqeje, sigurie, stabiliteti por edhe demokratizimi dhe evropianizimi në rajon”, deklaroi presidenti Ilir Meta. ​