Kuvendi mblidhet të enjten në seancë të rregullt plenare
Prishtinë 30 prill - Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.
Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryekuvendari Glauk Konjufca.
Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të debatojnë lidhur me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë së virusit COVID-19.
Pas debatit, pikë e radhës do të jetë shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2024, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, dhe vendosi të bëjë shpalljen e konkursit për dy pozita të lira në këtë Këshill nga radhët e komuniteteve joshqiptare, si dhe shpalljen publike për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.
Kryesia diskutoi gjithashtu edhe lidhur me formimin e delegacioneve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare për Legjislaturën VIII dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. â