Kuvendi mblidhet të enjten
Prishtinë, 3 dhjetor - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që Kuvendi të mblidhet të enjten, më 6 dhjetor.
Pas pikave të përhershme të seancave të rregullta parlamentare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, në këtë seancë deputetët do të shqyrtojnë: Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë.
Në vazhdim do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Efiçiencën e energjisë, si dhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi i vlerës së shtuar deri më 31 dhjetor 2014.
Pikë e fundit e kësaj seance do të jetë shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Duke e shqyrtuar kërkesën për procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës (të përgatitur nga Komisioni për Buxhet dhe Financa), Kryesia, konform Rregullores së Kuvendit, Projektligjin e propozuar ia përcjell Qeverisë së Kosovës për mendim.
Kërkesën për procedimin për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, Kryesia ia delegon Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që ta shqyrtojë ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të këtij universiteti dhe Kuvendit tia paraqesë Raportin me rekomandime.
Sa i përket Rekomandimit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2012, Kryesia e ngarkon të njëjtin Komision që në bashkërendim me Administratën e Kuvendit, përkatësisht me Departamentin e Prokurimit, të bëjë përzgjedhjen e auditorit të jashtëm, për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2012.
Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me amendamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Kryesia ia ka përcjellë Komisionit për Legjislacion që të shqyrtojë amendamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria, si dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që Kuvendit ti paraqesë Raport me Rekomandim.
Kryesia është njoftuar me propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (deputeti Imri Ahmeti, në vend të deputetit Armend Zemaj). Për këtë ndryshim do të njoftohen edhe deputetë në mbledhjen plenare të radhës.