Kuvendi mblidhet sot në seancë të rregullt plenare
Prishtinë, 3 mars - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të rregullt plenare.
Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e sotme Kuvendi do të shqyrtojë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, si dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.14/62 datë 23.02.2022, për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Në këtë seancë, po ashtu pritet të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidateve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe ai për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga komunitetet joshqiptare.