Kuvendi mblidhet sot në seancë për themelimin e komisioneve parlamentare
Prishtinë, 2 prill - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të rregullt në të cilën do të shqyrtohet propozimi i Kryesisë për themelimin dhe funksionalizimin e komisioneve parlamentare.
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë u dakordua t'i propozohet seancës që edhe në këtë legjislaturë Kuvendi të ketë 14 komisione.
Më pas u bë ndarja e tyre midis grupeve parlamentare, sipas formulës së përcaktuar dhe të praktikuar në legjislaturat e kaluara.
Kështu, grupi më i madh parlamentar, ai i Lëvizjes Vetëvendosje, do të udhëheq shtatë komisione: Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërrmarrësi, Komisionin për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Komisionin për Qeverisje Lokale Zhvillim Rajonal dhe Media, si dhe Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Dy komisione do t’i drejtojë Grupi Parlamentar i PDK-së: Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq do të udhëheq Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Grupi Parlamentar i Listës Serbe Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim, ndërsa Grupi Parlamentar 6 Plus do të udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Deri më tani në Kryesi janë paraqitur tri grupe parlamentare dhe emrat e kryetarëve të tyre.
GP të LDK-së me 15 deputetë do ta ketë kryetar deputetin Arben Gashi, GP Lista Serbe me 10 deputetë me kryetar Igor Simiq dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 deputetë, me kryetar deputetin Besnik Tahiri.
Ditëve në vijim do të bëhet të ditura grupet e tjera parlamentare dhe po ashtu kryetarët e tyre.