Kuvendi mblidhet në seancë plenare të enjten
Prishtinë, 3 qershor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari Kadri Veseli, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, vendosi që mbledhja e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 9 qershor.
Në këtë mbledhje, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohen një varg projektligjesh. Kështu, pritet të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10. Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen tri projektligje të tjera: Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligji për falimentimin dhe ai për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.
Mbledhja e Kuvendit do të vazhdojë me zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe me shqyrtimin e dy propozim-vendimeve: propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe propozim-vendimit të qeverisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe dy raporte pune të vitit të kaluar: raportin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe atë të Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim. Do të votohet, gjithashtu, edhe propozimi i GP të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.