Kuvendi mblidhet më 23 prill
Prishtinë, 18 prill - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj, ka vendosur që Kuvendi mblidhet më 23 prill. Në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar pjesëmarrësit në këtë takim se në Kuvend tashmë ka arritur letërkëmbimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton , por jo edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që sipas praktikave të mëhershme, duhej ta përcillte Qeveria e Kosovës.
Ai, ndërkaq, ka pohuar që, nëse deri në seancë arrin në Kuvend teksti i kësaj marrëveshjeje, do të radhitet që të ratifikohet. Për të dy çështjet, ka precizuar Krasniqi, deputetët duhet të votojnë për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit.
I vetmi diskutues në këtë takim, Visar Ymeri, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka shprehur habinë e tij për këtë ngutje për një çështje kaq të ndjeshme, e cila madje as që mund të arrijë të diskutohet nëpër komisione parlamentare.
Krasniqi, duke e përmbyllur takimin e sotëm të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ka theksuar se për të gjitha këto çështje do të vendosë seanca plenare e së mërkurës.