Kuvendi mban sot tri interpelanca me Kryeministrin Hoti
Interpelancat janë ftuar nga deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, interpelanca lidhur me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, si dhe interpelanca lidhur deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
LVV konsideron zotimi i njëanshëm i Avdullah Hotit për pezullim të kërkimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare përveçse është pushim njëvjeçar i shtetësisë së Kosovës në sferën dhe sistemin ndërkombëtar, është edhe bllokim i shumë nismave, projekteve e proceseve të ndryshme të shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj në nivel ndërkombëtar multilateral.
Përveç dëmeve diplomatike nga ky veprim i Qeverisë, sipas Vetëvendosjes heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare kinse me arsyetimin që Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, është pozicion me pasoja të parikuperueshme në raport me dialogun me Serbinë.
Edhe sa i përket intepelancës për “mini-Shengen ballkanik” LVV vlerëson se Serbia përmes të ashtuquajturit “mini-Shengen ballkanik” zgjeron mundësitë për dominim, përderisa Kosova do të dëmtojë edhe më shumë ekonominë e saj prodhuese dhe do të thellojë bilancin negativ tregtarë.
"Është fakt i ditur botërisht se i ashtuquajturi “mini-Shengen ballkanik” është ide dhe projekt i Serbisë. Jashtë ambalazhimit dhe justifikimit kinse të bashkëpunimit rajonal, e vërteta e kësaj nisme, është marrëveshja e Novi Sadit. Deklarata e Novi Sadit e futur nën petkun e “mini-Shengenit ballkanik” për t’u shitur më lehtë, u prezantua për herë të parë më 10 tetor 2019 nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq", thekson LVV.
Interpelanca e tretë ka të bëjë me deklaratat e kryeminstrit Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’.
LVV ka deklaruar së Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë plan të Serbisë, duke gjykuar se ajo shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 pika.