Kuvendi mban sot seancën nen masa të rrepta sigurie
Prishtinë, 15 tetor - Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në një seancë që nga vet deputetët po paralajmërohet me përplot paqartësi dhe tensione.
Pas hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit gjatë seancës së kaluar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, tani Kryesia e Kuvendit ka vendosur masa të rrepta sigurie për të gjithë ata që hyjnë në kuvend, përfshi edhe kontrollin e detajuar të deputetëve dhe medieve të akredituara.
Në seancën e sotme është paraparë të bëhët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shëndetin mendor si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.
Po ashtu në ketë seancë pritet edhe përzgjedhja e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,
Kuvendi po ashtu do të bejë emërimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas si dhe emërimin e anëtarit të Komisionit për Kërkesa Pronësore.
Dy pikat e fundit të kësaj seance janë paraparë formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb si dhe propozimi i grupeve parlamentar për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.