Kuvendi mban seancë për agjendën evropiane të reformave
Prishtinë, 13 nëntor - Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar katër ligje që lidhen me proceset e integrimeve evropiane dhe liberalizimin e vizave.
Në këtë seancë të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, synohet që të dërgohet, siç thuhet, një mesazh se Kosova po vazhdon të trajtojë të gjitha obligimet që dalin në fushën e sundimit të ligjit.
Ditëve të fundit, shumë vende të Bashkimit Evropian kanë shprehur hezitim për liberalizim të vizave për Kosovën. Kjo çështje do të duhej të futet në agjendën e takimit të Këshillit Evropain kur pritet të mbahet në muajin dhjetor. Por, zyrtarët evropianë kanë thënë se mbetet e paqartë nëse do të bëhet një gjë e tillë.
Çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të mbetet një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës, në një kohë kur janë hapur mundësitë për një vendim pozitiv.
Autoritetet evropiane u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të kenë durim në procesin e liberalizimit të vizave dhe të shmangin, siç thonë afatet artificiale.
Në shtator, Parlamentit Evropian, votoi me shumicë votash në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Votimi në parlament u hapi rrugë bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje.
Por, zyrtarët evropinë kanë paralajmëruar mundësinë e shtyrjes së vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën për shkak se shumë shtete kanë shprehur hezitim për një gjë të tillë.