Kuvendi mban seancë me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s
![Kuvendi mban seancë me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s](http://ekonomia.info/repository/images/main/15_01_2022_934800_2021_seanca_e_kuvendit_te_kosoves_2021.jpg)
Prishtinë, 24 mars - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë solemne, në shënim të 23-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe.
Ndërkaq pas seancës solemne Kuvendi do të mbajë seancë e rregullt plenare në të cilën pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi pritet të debatojë për politikën e jashtme.
Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.
Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.
Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.
Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
.