Kuvendi mban dy seanca plenare
Prishtinë, 13 qershor - Kuvendi i Republikës së Kosovës sot mblidhet në dy seanca plenare, ku së pari do të vazhdojë seanca e javës së kaluar për te vazhduar me seancën e radhës.
Në vazhdimin e seancës do të votohet Raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2012, Raporti vjetor i punës i Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës për vitin 2012 dhe i Raporti vjetor i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2012 , për të cilët është kryer debati.
Në këtë mbledhje do të votohet edhe për rekomandimet që dolën nga debati lidhur me Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015, për të cilin gjithashtu ka përfunduar debati.
Në vazhdim do të zhvillohet debati parlamentar lidhur me rirregullimin (heqjen) e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe automjeteve transportuese të mallrave.
Ndërkaq, në seancën e radhës pas pikave të rëndomta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për tregtinë e mallrave strategjike, ndërsa në shqyrtim të dytë Projektligjin për produktet e ndërtimit,ndërsa në vazhdim në rendin e ditës do të jetë zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.