19 Maj 2024

Kuvendi këtë javë mban dy seanca plenare

Prishtinë, 11 mars - Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga, dr. Jakup Krasniqi, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka miratuar rendin e ditës për dy mbledhjet plenare që do të mbahen këtë javë.

Nesër, më 12 mars, do të vazhdojë seanca e shkuar, me pikat e mbetura të rendit të ditës. Deputetët, ndërkaq, do të vendosin për kërkesën e kryeministrit Thaçi për të raportuar në Kuvend lidhur me takimin e tij të gjashtë me kryeministrin e Serbisë, në Bruksel.

Në seancën e së enjtes, më 14 mars, pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë  amendamentet 23 dhe 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të  propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kurse në vazhdim do ta zgjedhin guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtën seancë janë radhitur edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarët e tyre, si dhe ai për Agjencinë për krahasim dhe verifikim të pronës.

Në vazhdim do të shqyrtohen për herë të parë edhe: Projektligji për produkte medicinale dhe pajisje medicinale, Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe Projektligji për blegtorinë. Për herë të dytë,  ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme, Projektligji për ujërat e Kosovës, si dhe Projektligji për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës.

Në seancën e së premtes, më 15 mars, do të ketë dy debate parlamentare. Në fillim të seancës do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013 (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës) , kurse pikë e dytë e rendit të ditës do të jetë debati parlamentar për  rastin Kiçina (sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, i mbështetur  nga deputetët nënshkrues).

Duke e shqyrtuar Vendimin e Presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, Kryesia ia ka deleguar atë Komisionit për Buxhet dhe Financa për ta përgatitur për Kuvendin raportin me rekomandime.

Kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për debat  parlamentar lidhur  me tjetërsimin e pronës publike dhe shoqërore gjatë periudhës 22 mars 1989 deri me qershor 1999, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Legjislacion, për ta vlerësuar përputhshmërinë e saj me vendimet e mëhershme të Kuvendit të Kosovës rreth kësaj çështje.

Kryesia ka kërkuar nga grupet parlamentare emërimin e anëtarëve në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (PDK dhe LDK nga dy anëtarë dhe grupet e tjera: VV, AAK, KKR, SLS dhe 6+, nga një anëtar). Kryesia ka mbetur të shqyrtojë edhe një herë Propozim-Planin strategjik të veprimit të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2013-2018.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)