Kuvendi kërkon nga Qeveria informatë për gjendjen në Veri
Prishtinë, 19 shtator - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për seancën e 22 shtatorit.
Pas shterimit të dy pikave të rëndomta të seancave të rregullta të Kuvendit: deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe pyetje parlamentare, për punën e Qeverisë së Kosovës, do të shqyrtohen disa raporte dhe rekomandime të komisioneve parlamentare për punën e agjencive të krijuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Do te shqyrtohet Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Minierat dhe Mineralet, Raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për financat e pushtetit lokal.
Po ashtu do te shqyrtohet Raporti vjetor të punës së Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për vitin 2010, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Buxhetin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në vazhdim të seancës do të procedohet me projektligjet. Për herë të parë do të shqyrtohen; Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Projektligji për të huajt, si dhe Projektligji për Agjencinë e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe nga fatkeqësitë tjera, Projektligji për zjarrfikje dhe shpëtim, si dhe Projektligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Rekomandimi i Komisionit për Legjislacion lidhur me emërimin e drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsionit, Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarit në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si dhe Propozim- vendimi i ekzekutivit të vendit për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishikimin e Ankesave.
Kryesia në mbledhjen sotme ka marrë vendim që për seancën e 22 shtatorit të kërkojë nga Qeveria e Kosovës një informatë për gjendjen në Veri të vendit.