Kuvendi i ri, deputetë të vjetër
Prishtinë, 21 maj - Legjislatura e katërt e Kuvendit të Kosovës e cila u vetëshkarkua më 7 maj, është konsideruar si më e dobëta në historinë funksionimit të Kuvendit. Por kjo nuk i ka penguar partitë politike që sërish t\'i kandidojnë po të njëjtët njerëz që kanë qenë në institucionin përfaqësues të vendit që nga viti 2011 e deri para dy javësh.
Madje shumë prej tyre që nuk e kanë thënë asnjë fjalë ose kanë folur rrallë si puna e Azem Sylës, Flora Brovinës, Bali Muharremajt, Florin Krasniqit e disa të tjerëve që kanë marrë numra të mirë në listat e kandidatëve në subjektet e tyre politike.
Nga një krahasim i thjeshtë me listat e vitit 2010, del se shumë pak figura të reja mund të shihen nëpër parti, ndërsa të vjetrit pothuajse të gjithë janë sërish kandidatë, por ajo çka dallon nga hera e kaluar, është renditja e tyre në listë.
Ky koncept jep shumë mundësi që edhe Kuvendi i ardhshëm i dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, në shumicë të jetë i përfaqësuar nga deputetët e legjislaturës së katërt.
Gjasa që kjo të ndodhë janë të mëdha, duke pasur parasysh se shumë nga ish-deputetë, përpos që tradicionalisht janë në Kuvend që nga fillimi, të njëjtët dhe kolegët e tyre kanë zënë vende të mira në lista.
/Tribuna/