Kuvendi i Kosovës voton sot ndryshimet kushtetuese
Prishtinë, 7 shtator - Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të votojë sot 22 ndryshime kushtetuese, që kanë të bëjnë me përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Në seancën e sotme do të hidhet në votim edhe kërkesa e presidentes Atifete Jahjaga për zgjatje të mandatit të EULEX-it në Kosovë deri në vitin 2014.
Letra e presidentes, e cila i është dërguar shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, parashikohet të miratohet në formë të traktatit ndërkombëtar.
Kundër vazhdimit të mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit janë shprehur vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Të hënën, Kosova do të shpallë përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj.