Kuvendi i Kosovës rezolutë për fuqizimin e institucioneve
Prishtinë, 28 korrik - Kuvendi i Kosovës ka prezantuar në seancën e jashtëzakonshme të ditës së sotme, rezolutën për fuqizimin e institucioneve.
Pas një fjalimi të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili u zotua se qeveria mbetet e vendosur të mos ketë kthim prapa deri në vendosjen e kontrollit të plotë në doganat e Kosovës, grupi parlamentar i PDK-së prezantoi një rezolutë, me të cilën kërkohet që Kuvendi t`i japë mbështetje qeverisë, në vendosjen e rendit në veri.
Po ashtu, me këtë rezolutë ftohet edhe prania ndërkombëtare të luajë rol në ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.
Rezoluta:
1. Fuqizon të drejtën kushtetuese për ushtrimin e kontrollit të plotë në territorin e vendit.
2. Mbështet qeverinë në vendosjen e rendit dhe ligjit
3. Kuvendi i Kosovës kërkon nga qeveria, që me mjetet e saj ligjore të ruajë tërësinë territoriale.
4. Kuvendi i Kosovës kërkon të respektohen masat e reciproritetit me Serbinë në pikat dogane.
5. Kuvendi fton faktorin ndërkombëtar për përkrahjen e vendosjes së rendit dhe ligjit.
6. Kuvendi fton qytetarët e Kosovës të respektojnë vendimet e institucionit të Kosovës për sundimin e ligjit.
7. Kuvendi u bën thirrje qytetarëve pa asnjë dallim, që të ruajnë qetësinë dhe rendin kushtetues.