01 Janar 2025

Kuvendi i Kosovës mban dy interpelanca me kryeministrin Hoti

Prishtinë, 12 nëntor - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot seancë të re në të cilën do të mbahen dy interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti.

Seanca e rregullt do të fillojë me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, për të vazhduar me dy interpelanca të kryeministrit Avdullah Hoti: interpelancën për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, si dhe atë për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së.

Pas interpelancave, seanca do të fillojë me shqyrtimin e projektligjeve. Kështu, në lexim të parë pritet të shqyrtohen pesë sosh: Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligji për Inspektoratin e Punës, Projektligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe shqyrtimi i katër raporteve të katër institucioneve të pavarura për vitin 2019: Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik, Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si dhe Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Po ashtu do të shqyrtohen edhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019, si dhe do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)