Kuvendi i Kosovës do ti ketë 13 komisione parlamentare
Prishtinë, 4 mars - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është shqyrtuar dhe miratuar propozimi për formimin e komisioneve parlamentare.
Megjithëse në dy mbledhjet e fundit Kryesia ishte përcaktuar që Kuvendi i Legjislaturës IV ti ketë 12 komisione (duke i fuzionuar disa nga komisionet e legjislaturës së kaluar), në mbledhjen sotme është tumirë propozimi që Komisioni për të Drejtat e Njeriut, barazi gjinore dhe peticione të mbetet komision i veçantë i Kuvendit, ndaj numri i komisioneve do të jetë 13.
Katër komisione do të jenë të përhershme: Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Komisioni për Legjislacion, (me Nënkomisionin për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit) dhe Komisioni për Integrime Evropiane.
Komisione funksionale, ndërkaq do të jenë nëntë: Komisioni për Punë të Jashtme, Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Inteligjencë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, si dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Sipas propozimit të Kryesisë, për të cilin duhet të deklarohet seanca plenare e 10 marsit, deputetët e PDK-së do të kryesojnë katër komisione parlamentare, ata të LDK-së tri komisione, dy komisione do ti drejtojë Lëvizja VETËVENDOSJE, kurse nga një komision do ta kryesojnë grupet e tjera parlamentare. Me të njëjtën formulë janë ndarë edhe nënkryetarët e pare dhe atë te dyte të komisioneve. Sipas Kushtetutës se Kosovës njeri nga nënkryetaret e komisioneve duhet te jete nga radha e komuniteteve pakicë.