Kuvendi i kërkon qeverisë mos lejimin e zgjedhjeve serbe

Prishtinë, 27 maj - Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke demonstruar rolin kushtetues dhe vendosmërinë në mbrojtje të kushtetutshmërisë, integritetit dhe sovranitetit të vendit, në mbledhjen e mbajtur me sot, pas debatit parlamentar, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës marrjen e masave për ndalimin e organizimit të zgjedhjeve lokale dhe ushtrimit të veprimtarive të Qeverisë së Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në koordinim me faktorët relevantë ndërkombëtarë, të ndalojë aktivitetet të cilat zhvillohet në territorin e Republikës së Kosovës jashtë sistemit politik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, duke përfshirë:
Marrjen e masave për ndalimin e organizimit të zgjedhjeve lokale dhe ushtrimit të veprimtarive të Qeverisë së Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë, ndalimin e vizitave të zyrtarëve të Republikës së Serbisë pa lejen e Institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe
Hartimin e planit aksional në koordinim me faktorët e tjerë relevantë për zhbërjen e strukturave të pushtetit të Qeverisë së Republikës së Serbisë në veri të Republikës së Kosovës.