Kuvendi do të ratifikoj Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10
Prishtinë, 16 qershor - Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë plenare në të cilën do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe raportesh.
Në mbledhjen e sotme, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të votohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, ndërsa më pas do të procedohet me zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe të drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Në vazhdim, deputetët do tu kthehen serish projektligjeve, me çrast pritet të shqyrtojnë për herë të dytë gjashtë sosh: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar, Projektligjin për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve, Projektligjin për energjinë, Projektligjin për energjinë elektrike, Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, si dhe Projektligjin për gazin natyror. Më pas, do të shqyrtohet propozim-vendimi për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e katër raporteve të punës të institucioneve të pavarura, për vitin e kaluar: raportin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, raportin e Agjencisë Kosovare të Pronës, si dhe atë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.