Kuvendi do të debatoj për masakrën në burgun e Dubravës
Prishtinë, 10 maj - Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për mbledhjet plenare të 12 dhe të 19 majit.
Në seancën e parë, pas pikave të përhershme të mbledhjeve rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare, do të shqyrtohen për herë të parë shtatë projektligje: Projektligji për bashkëpunim ndërkomunal dhe partneritete, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2002/5 për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, Projektligji për Këshillin Ekonomik Social, Projektligji për organizimin sindikal në Kosovë, Projektligji për mbrojtje nga zjarri, Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, si dhe Projektligji për Kadastër.
Në seancën e 19 majit, ndërkaq, do të zhvillohet debat parlamentar për masakrën në Burgun e Dubravës. Kërkesa është shtruar nga deputeti Nait Hasani, me mbështetje nga një grup deputetësh.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe Raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2010, si dhe Propozim Rregullorja për zgjedhjen dhe shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit.
Do të procedohet edhe me Raportin vjetor të Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina, për vitin 2010, si dhe me Raportin e punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për vitin 2010, pika këto të mbetura nga seanca e gjashtë majit.
Po sot Kryesia është njoftuar me skadimin e mandatit të një anëtari të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe me ftesën e Komisionit Evropian për vizitën studimore në Bruksel për 24 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Anëtarët e Kryesisë kanë marrë dhe njoftimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave publike lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2010.