Kuvendi debaton sot për rastin Dehari
Prishtinë, 20 dhjetor - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të mbahet debat parlamentar lidhur me rastin Astrit Dehari, sipas kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues.
Pas përfundimit të debatit parlamentar, Kuvendi do të vazhdojë punimet me votimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara.
Kështu, pritet formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pika këto të papërfunduara në seancën e 28 tetorit dhe atë të 17 nëntorit.
Në vazhdim, do të bëhet votimi i tri pikave të tjera, të papërfunduara në seancën e 30 nëntorit dhe 1 dhjetorit: votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, votimi i Raportit vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, si dhe votimi i 6 amendamenteve (22 27) të Projektligjit për akreditim.
Në seancën e re të së enjtes, ndërkaq, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, si dhe i Projektligjit për shërbime. Për herë të dytë, pritet shqyrtimi i Projektligjit për ndihmën shtetërore, Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-168, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Po ashtu, do të shqyrtohet edhe raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Minierat dhe Mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158.
Në fund, deputetët pritet të debatojnë sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga nëntë deputetë tjerë, lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, sa i përket rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Kosovës për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, u Kryesia u dakordua se komisioni përkatës parlamentar, konform Rregullores, mund ta autorizojë kryetaren e tij që të paraqesë një deklaratë në seancë plenare.