Kuvendi debaton për Universitetin e Prishtinës
Prishtinë, 3 shkurt - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj, ka vendosur që të enjten të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit, në të cilën pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës \" Hasan Prishtina\", sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së.
Në po këtë seancë do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Do të shqyrtohet, ndërkaq, edhe Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar \"Sharri\".
Si pika të fundit të kësaj seance janë paraparë emërimi i një anëtari të Bordit të RTK-së, si dhe shqyrtimi i propozimit të Këshillit Gjyqësor për emërimin e Organit përzgjedhës të Pavarur, për përzgjedhjen e kryesuesit dhe të anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Si rëndom në seanca të rregullta deputetët do të kenë rastin të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Kryesia, ndërkaq, ka vendosur që me një seancë solemne Kuvendi , më 17 shkurt 2014, të shënojë gjashtë-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Pasi e ka shqyrtuar kërkesën e deputetes, Albulena Haxhiu, e mbështetur nga deputetë të tjerë nënshkrues për procedimin e Projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme, Kryesia ia ka përcjellë atë Qeverisë për mendim.
Lidhur me Kërkesën e deputetes Ganimete Musliu, e mbështetur nga deputetët nënshkrues, për debat parlamentar për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, si dhe kërkesën tjetër të po kësaj deputeteje dhe të deputetit Jeton Svirca (të mbështetur nga deputetët nënshkrues), për debat parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë ne shkollat e Republikës së Kosovë, Kryesia, para se çështjet ti radhisë për seancë plenare, kërkon informata plotësuese nga resorët përkatës të Qeverisë së Kosovës.
Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kanë shqyrtuar edhe propozimin e Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, i cili duhet të marrë edhe votën formale të deputetëve në seancë plenare.