20 Janar 2025

Kushtetuta ka nevojë të ndryshohet

Prishtinë, 16 qershor -  Njohësit e çështjeve kushtetuese kanë shprehur nevojën e ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në 6-vjetorin e fuqizimit të këtij dokumenti, duke folur për sfidat për gjatë kësaj kohe, Arsim Bajrami, Mazllum Baraliu dhe Riza Smaka kanë dhënë mendime të ndryshme se në cilat pjesë do të duhej të ndryshojë Kushtetuta. Sipas tyre, gjatë këtyre gjashtë vjetëve akti më i lartë juridik dhe politik i vendit është sfiduar në pjesën veriore.

Një nga hartuesit kryesor të Kushtetutës së Kosovës, Arsmi Bajrami, ka deklaruar për “Epokën e re” se ky dokument ka përmbushur misionin e saj primar, që ka qenë themelimi i shtetit dhe implementimi i aspiratës historike për pavarësi.

“Ajo është sfiduar me zbatimin e saj në veri dhe tejkalimin e krizave kushtetuese dhe ka arritur të sigurojë supremaci juridike dhe stabilitet kushtetues të vendit. Në të ardhmen ka nevojë për amendamentime të reja kushtetuese në funksion të promovimit të konceptit të presidentit popullor të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli”, ka deklaruar Bajrami.

Ai e ka vlerësuar lart këtë akt, duke thënë se kjo Kushtetutë do të jetë dokumenti bazik për Kosovën edhe së paku një dekadë. “Në përgjithësi si një nga hartuesit kryesor të saj mund të konstatoj se Kushtetua e Republikës së Kosovës paraqet një nga modelet më të avancuara të kushtetutave të vendeve të dala nga lufta ku ka pasur asistencë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Kjo Kushtetutë do të jetë dokumenti bazik edhe së paku një dekadë, kur do të përafrohet integrimi i Republikës së Kosovës në BE”, ka deklaruar Bajrami.

Por ndryshe mendon eksperti tjetër i Kushtetutës, Mazllum Baraliu. Ai për “Epokën e re” ka vlerësuar se Kushtetuta nuk është respektuar sa duhet. Madje, sipas Baraliut, akti më i lartë juridik nuk i ka përmbushur nevojat e shoqërisë kosovare.

“Kushtetuta nuk i ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe nevojat zhvillimore të shoqërisë në zhvillimin ekonomik, zhvillimin social dhe atë politik”, ka thënë Baraliu. Ai ka theksuar se kjo Kushtetutë në mënyrë substanciale është dashur të ndryshohet menjëherë pas kalimit të afatit të Planit të Ahtisarit, duke shtuar se legjislatura e ardhshme duhet të merret me këtë çështje.

Baraliu ka thënë se preambula e kësaj Kushtetute, e cila nuk flet për historinë e popullit të Kosovës, është e padrejtë dhe e pashembullt për tekstet kushtetuese në botë.

“Duhet të ndryshohet që nga preambula dhe pjesët e tjera normative, duke përfshirë shumë nene, të cilat nuk i përballojnë kohës. Ja tani e kemi rastin e fundit ku po bëhen interpretime të ndryshme rreth mënyrës së bërjes së qeverisë. Pra, kjo Kushtetutë është dashur qysh moti të ndryshohet, e jo të ndryshohet parcialisht apo në mënyrë kozmetike, por në mënyrë substanciale. Pra, të rishkruhet një Kushtetutë e re. Kështu që, tash është momenti i fundit që në legjislaturën re të Kuvendit të Kosovës të bëhet kjo”, ka thënë Baraliu.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, është i mendimit se për këta gjashtë vjet Kushtetuta nuk është respektuar në mënyrë të kënaqshme. “Kushtetuta deri në ditët e sotme mjerisht nuk është përfillur aq sa duhet dhe si duhet, sepse janë evidentuar disa raste që vetë institucionet nuk e kanë përfillur. Ekziston një tendencë e fuqishme e disa institucioneve për të vepruar arbitrarisht dhe për ta injoruar Kushtetutën”, është shprehur Smaka. Prandaj, sipas tij, institucionet shtetërore përfundimisht duhet ta konsiderojnë Kushtetutën aktin suprem të vendit dhe duhet t’i implementojnë të gjitha dispozitat e saj”, ka deklaruar Smaka.

Ai ka thënë se legjislatura e ardhshme duhet ta vendosë në agjendë ndryshimin e Kushtetutës, duke i plotësuar disa dispozita.

“Në një moment të caktuar do të ishte shumë e dobishme të bëhet një rishikim i Kushtetutës. Për shembull neni 95, paragrafi i tretë, po të ishte pak më i precizuar, atëherë nuk do të kishte dilema e komentime për ta interpretuar atë lidhur me rastin e fundit. Pra, ka vend për ta rishikuar Kushtetutën. Unë do të dëshiroja që legjislatura e ardhshme ta futë në agjendë për ta rishikuar, plotësuar dhe precizuar në disa pika, sepse ka zbrazëtira aty-këtu”, është shprehur Smaka.

Katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 15 qershor të vitit 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, e cila e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm. Po ashtu, ky dokument e përcakton Republikën e Kosovës si shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)