Kusari- Lila: Si bashkohemi koalicionit të hakmarrjes
Prishtinë, 19 qershor - Zëvendëspresidentja e AKR-së ka vlerësuar se krijimi i bllokut opozitar është rrjedhojë e një ngutie për të ardhur sa më shpejt në pushtet. Mirëpo ajo ka thënë se kjo nguti nuk është sinjal i mirë dhe nuk sjell diçka pozitive ndaj shtetit.
E shoh si rrjedhojë të një ngutie që erdhi prej partive opozitare. Një nguti për të qenë sa më shpejt pjesë e pushtetit nuk është sinjal i mirë dhe nuk tregon diçka pozitive për qasjen e tyre ndaj shtetit dhe procesit zgjedhor sepse ishte vetëm një ditë e gjysmë pas mbylljes së zgjedhjeve kur u arrit kjo marrëveshje, ka thënë Kusari-Lila në këtë intervistë për Epokën e re. Mirëpo, sipas saj, koalicioni qeverisës LDK-AAK-NISMA e ka vështirë të funksionojë në mungesë të numrave.
Do të jetë e vështirë për shkak se së bashku votat nuk i kanë, ndërsa mbështeten në diçka të cilën nuk mund ta garantojnë. Pra, mbështeten në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje!, ndërsa nuk mund tia garantojnë Vetëvendosje!-s ndalimin e dialogut me Serbinë që është kriter i kësaj lëvizjeje. Prandaj, nuk e di se si i kanë bërë kalkulimet duke filluar nga posti i kryeparlamentarit dhe të tjerat, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se plani i opozitës mund të dështojë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nga përpjekjet e bllokut të opozitës, që me çdo kusht të jenë bashkë dhe ta formojnë qeverinë, e shoh një mundësi të dështimit të atij procesi dhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, është shprehur ajo.
Kusari-Lila ka thënë se është ende herët të flitet për rreshtimin e AKR-së në rast se kjo parti do të kalojë pragun zgjedhor. Por, sipas saj, bashkimi i AKR-së me koalicionin opozitar nuk mund të ndodhë për shkak se kjo parti nuk pretendon të qeverisë me logjikën e hidhërimit dhe revanshit.
Në këtë formën e bllokut opozitar, siç është krijuar tani, mendoj se është pamundësuar një gjë e tillë për shkak të qasjes dhe formës se si e kanë bërë. Ne si AKR nuk qeverisim në parim të hidhërimit ose të revanshit. Pra, kjo mënyra se si është krijuar ky bllok opozitar është më shumë formë hakmarrje dhe nuk është forma se si AKR-ja qeveris, ka deklaruar Kusari-Lila, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në dhe partnerët e saj.
Ajo ka thënë se partia që i fiton zgjedhjet e ka të drejtën për ta formuar qeverinë. Por, prapë po them se është shumë herët të flasim diçka definitive për rreshtimin e AKR-së sepse duhet të presim së pari rinumërimin e votave dhe rezultatin përfundimtar, pastaj do të ketë mjaft kohë për të diskutuar për këto çështje. Mirëpo, mendoj se është forma e drejtë që një parti e cila i fiton zgjedhjet, është partia e cila e merr të drejtën për ta formuar e para qeverinë, theksuar Kusari-Lila.