Kusari-Lila, Qytetare Nderi e Bajram Currit
Bajram Curr, 18 maj - Me organizimin e Bashkisë Bajram Curri, sot është mbajtur ceremonia e dhënies së titullit Qytetare Nderi për znj. Mimoza Kusari-Lila, akorduar nga Këshilli i Bashkisë Bajram Curri me unanimitet të plotë.
Në këtë ceremoni ishin pjesëmarrës qytetarë të shumtë nga Bajram Curri, Tropoja, Gjakova, Prishtina dhe Mitrovica.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri zv. Kryetari i bashkisë Bajram Curri, z. Astrit Margjekaj i cili theksoi rëndësinë e kësaj dite për shpalljen qytetar Nderi për një zonjë kaq të nderuar dhe të spikatur siç është znj. Mimoza Kusari-Lila.
Bajram Curri gjithmonë ka nderuar emra të heronjve të mëdhenj dhe jemi shumë të lumtur që në këtë ditë bëjmë të madhe për Malësinë e Gjakovës e nderojmë edhe një emër të madh. Një profil më të detajuar të qytetares më të re të nderit të Tropojës e ka dhënë edhe z. Lulzim Logu, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtareve dhe Artistëve të Tropojës. Ai ka thënë se znj. Mimoza Kusari-Lila është tashmë një personalitet i njohur i politikës shqiptare, me një përvojë të pasur nga fusha e shoqërisë civile dhe e drejtimit ekonomik, një drejtuese e aftë, një aktiviste shoqërore dhe një grua e nënë e dy fëmijëve.
Në këtë ceremoni, me fjalë përshëndetëse kanë folur edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z.Qemajl Minxhozi, i cili potencoi kontributin e Kryetares Kusari-Lila për zonën ndërkufitare me projekte konkrete të nënshkruara bashkë me Fondin Shqiptar për Zhvillim. Po ashtu, me fjalë rasti e kanë përshëndetur edhe Kryetari i Çarkut të Kukësit, z. Sherif Hasandoci, nën Prefekti z. Mustaf Tahiri, krijuesi nga Gjakova z. Tahir Bezhani, si dhe Kryetari i Shoqatës së Intelektualeve Jakova z. Masar Rizvanolli.
Kryetari i Këshillit të Bashkisë Bajram Curri, z. Xhem Neza ka ndarë titullin Qytetare Nderi për znj. Mimoza Kusari-Lila, e cila ndër të tjera ka theksuar se Sot po dua të ju flas si njëra prej jush, si bija e Malësisë, duke ju thënë se Ju e keni Gjakovën dhe Ne e kemi Malësinë, si një trup i vetëm dhe si të pandarë!
Të nderohem nga një vend i cili mban emrin e atdhetarit dhe luftëtarit të çmuar Bajram Curri, për mua është një vlerësim i cili për më shumë na jep obligim dhe përgjegjësi që me gurët që shëmbin murin që na ndanë, të ndërtojmë rrugën që na bashkon, me zhvillim dhe mirëqenie. Është përparësi sot për të gjithë shqiptaret se kemi lënë pushkën dhe kemi marrë pendën, duke treguar se me projekte të integrimit dhe zhvillimit ne do bashkohemi, duke hequr akoma gurë nga muri që na ndanë duke ndërtuar rrugën e shpresës, dhe do jemi fitues në momentin kur do kemi plantacione të përbashkëta ku sdo kemi kufi Kosovë-Shqipëri, por kjo anë do të jetë një Malësi, Malësia e Gjakovës.
Sot më duhet të bëjë një betim para jush, si bija e malësisë, si vajza e Gjakovës, uroj Zotin të më jep forcën e alpeve, kthjelltësinë e Valbonës, vullnetin e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe Idriz Seferit, të realizojmë ëndrrën shekullore, me gjithë këtë pasuri që na dha Zoti dhe natyra, e që ne ende nuk e shndërruam në të mirën e përgjithshme, të kthejmë në mirëqenie për të gjithë\", tha ndër të tjera Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.
Në kuadër të qëndrimit të saj në Bajram Curr, delegacioni nga Gjakova Vizituan Muzeun e kësaj Bashkie dhe Shkollën 9 vjeçare Ali Podrimja.