Kusari - Lila jep dorëheqje nga postet qeveritare
Prishtinë, 2 tetor - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar largimin e saj nga postet qeveritare gjatë takimit të dymbëdhjetë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Ajo pritet ti kthehet fushatës elektorale në Gjakovë, pasi është kandidate e AKR-së për të marrë drejtimin e kësaj komune.
Dorëheqjen e saj e ka kërkuar edhe Behgjet Pacolli, siç shkruan "RTK". Sot Mimoza Kusari-Lila do të mbajë një konferencë për shtyp ku do të prezantojë arritjet gjatë kohës që mbajti postet e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së MTI-së.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e rregullt te qeverisë ka falenderuar zëvendëskryeministren, Mimoza Kusari-Lila të cilës i ka uruar sukses si kandidate në Gjakovë dhe pasi që sot ka ofruar edhe mundësinë e lirimit të pozitës së saj si zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
"Më lejoni që në emrin tim, edhe të kabinetit qeveritar, të falënderoj zëvendëskryeministren Kusari-Lila për punën e saj të shkëlqyeshme; për sjelljen e një fryme të re qeverisëse në Republikën e Kosovës dhe në institucionet e saj; për reformat e thella në sektorin që ka udhëhequr, atë të Tregtisë dhe në të njëjtën kohë falënderoj për punën e guximshme dhe hapat konkret dhe vendimmarrjen e rëndësishme që ka marrë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe prezantimin e Kosovës edhe në botë, për Kosovën e re, për Kosovën si shtet i ri, i mundësive të mëdha."
Pra, përpos sukseseve të brendshme, në planin e brendshëm kombëtar, shtetëror të qytetarëve të Republikës së Kosovës, e nderuara Mimoza Kusari ka bërë një punë të shkëlqyeshme në prezantimin e dinjitetshëm dhe jashtëzakonisht afirmativ të shtetit të Kosovës dhe mundësive e potencialeve të Kosovës në botën e jashtme.
"E nderuara zëvendëskryeministre, faleminderit për punën tuaj dhe urimet më të mira për sukseset tuaja në të ardhmen ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së sotme të Qeverisë.