Kurz: Samiti për Ballkanin, pritet të mbahet në Vjenë
Prishtinë, 20 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz.
Kryeministri Mustafa, gjatë takimit e njoftoi ministrin Kurz për përkushtimin e Kosovës që të punojë në agjendën e zhvillimit ekonomik dhe në agjendën evropiane.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se do të bëhet çdo gjë që është e mundur me qëllim që migrimi ilegal të parandalohet, por edhe që të sigurohen kushtet që të kthehen qytetarët që kanë migruar.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi po ashtu se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për lëvizje të lirë, si për shkollim ashtu edhe për biznes, dhe se Qeveria e Kosovës është mjaft e fokusuar që të plotësojë kushtet për procesin e liberalizimit të vizave.
Ministri i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz, në këtë takim përmendi ndihmën dhe miqësinë që kanë Austria dhe Kosova, duke vënë theksin në prezencën e ushtarëve austriakë në vend dhe projektet zhvillimore që janë përkrahur.
Ministri Kurz kërkoi që Kosova të bëhet vend me ambient të mirë si për investitorët aktual ashtu edhe për investitorët e ardhshëm dhe gjithashtu theksoi përkrahjen për Kosovën në proceset integruese dhe për liberalizimin, por theksoi se duhet të adresohet çështja e migrimit ilegal.
Ministri Kurz u interesua edhe për procesin e dialogut dhe raportet fqinjësore në Kosovë. Gjithashtu, ministri paralajmëroi Samitin për Ballkanin, i cili pritet të mbahet në Vjenë të Austrisë.