Kurz i premton Thaçit përkrahje për anëtarësim në Këshill të Evropës
Prishtinë, 20 janar - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz.
Me këtë rast, zëvendëskryeministri Thaçi e ka njoftuar homologun e tij për zhvillimet aktuale në vend, për njohjet që shteti ka pranuar deri më tash si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ministri Thaçi gjithashtu e ka njoftuar ministrin Kurz edhe për përgatitjet që shteti kosovar është duke i bërë për të filluar aplikimin në Këshillin e Evropës.
E informova ministrin Kurz për ndërtimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, për hapat që po shënojmë ne si shtet i ri për njohjet që kemi arritur në 108 prej tyre dhe për anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare. Ndërsa diskutuam edhe për hapat që do ti ndërmerr Kosova dhe mbështetjen që do ta ketë edhe nga Austria në procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka deklaruar zëvendëskryeministri Thaçi.
Për të arriturat e Kosovës në këto procese, zëvendëskryeministri Thaçi ka falënderuar diplomacinë austriake për mbështetjen që po i ofron Kosovës në këtë drejtim.
Kryediplomati Thaçi, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve kur dihet se Austria është duke dhënë kontributin e saj në fusha të ndryshme.
Ne do të punojmë maksimalisht edhe në raportet bilaterale me Austrinë që është një prej vendeve që ka një prezencë të fuqishme ndërkombëtare në Kosovë, në KFOR, OSBE dhe EULEX, si dhe në mekanizma tjerë ndërkombëtarë, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se Kosova është duke vazhduar përpjekjet për tërheqjen edhe të investitorëve austriak dhe se institucionet janë duke punuar për krijimin e kushteve në këtë drejtim.
Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë ti inkurajojmë edhe më tepër investitorët austriak që janë dëshmuar të suksesshëm në veçanti në sistemin energjetik ujor, që të vijnë edhe të tjerë dhe Kosova të merr atë përvojë, të hapen vende të reja të punës, të rritet mirëqenia e qytetarëve.\"
\"Dhe kam besim të plotë se marrëdhëniet tona vetëm sa do të rriten, do të forcohen dhe do të afirmohen, ka theksuar Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi gjithashtu ka folur edhe procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të MSA-së, duke theksuar se Kosova po punon fuqishëm që ti përmbush të gjitha kriteret e kërkuara për ti përmbyllur këto procese.
Përveç kësaj, Thaçi e ka njoftuar diplomatin austriak edhe për vazhdimësinë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me çrast ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të vazhduar me implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash. Ndërkohë që e ka siguruar homologun e tij, se Kosova është e përkushtuar edhe në luftën kundër terrorizimit dhe radikalizmit fetar.
Ne jemi të vendosur në luftë kundër ekstremizmit dhe radikalizmit. E kemi dëshmuar edhe me hapa konkret dhe për fat të mirë ekziston konsensus i mirë politik dhe qytetarë. Në këtë drejtim ne kemi pasur qytetarë sikur të gjitha vendet e tjera të Evropës që kanë shkuar në Siri apo Irak, por mund të them lirisht se Kosova është lider në rajon në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, është shprehur ai. Zëvendëskryeministri Thaçi ka shtuar se Kosova tashmë do ta ketë ligjin përkatës që e ndalon pjesëmarrjen në lufta të huaja të qytetarëve të Kosovës.
Nga ana tjetër, ministri Sebastian Kurz, ka shprehur vullnetin e shtetin të tij për të ndihmuar Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe në zhvillimin ekonomik të saj.
Në mënyrë të veçantë në Kosovë jemi të angazhuar në fushën ekonomike ku kemi 17 ndërmarrje ekonomike, pra kemi bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar, por nuk mungon as bashkëpunimi zhvillimor në raport me Kosovën, duke i përfshirë edhe projektet e binjakëzimit si në fushën e drejtësisë dhe ekonomisë, ka thënë Kurz.
Ai ka thënë se shteti austriak ka pritje të mëdha nga Kosova, të cilën Austria do ta përkrah edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës.
Ne me të gjitha përpjekjet tona ndërkombëtare, sidomos sa i përket organizatës së Këshillit të Evropës do të përpiqemi që ta japim mbështetjen tonë që atje të merrni 2/3 e votave të miratimit. Austria do të ndihmojë edhe në procesin e integrimit të vendit tuaj në Evropë, ka premtuar Kurz.
Ndërsa, ka vlerësuar lartë gatishmërinë e zëvendëskryeministrit Thaçi për të parandaluar çdo lloj ekstremizmi fetar.
Ne po i shohim tendencat radikale gjithkund në Evropë dhe luftën kundër tyre. Edhe në Austri ka persona që kanë kaluar në Irak dhe Siri për të mbështetur terroristët atje dhe me rëndësi është që të jemi unik në luftën kundër këtij lloj radikalizmi dhe e di që edhe në Kosovë, në kohën kur ju ishit kryeministër është punuar shumë në këtë fushë, prandaj e di që keni punuar shumë edhe në dialogun ndërfetar dhe po ec shumë mirë, por që jeni edhe shumë i vendosur kundër radikalizmit që të mund të zhvillohet islami evropian në Kosovë edhe më tutje, ashtu siç ka qenë deri më tani pa lënë vend për radikalizëm, është shprehur Kurz.