Kurti: VV do të marrë pjesë në seancën e 3 gushtit
Prishtinë, 1 gusht - "Në shtetin republikan, demokracia qytetare është drejtësi politike", thotë Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai sot u regjistrova si deputet në Kuvendin e Republikës.
"Do të jem deputet i popullit që do ndryshime demokratike, ndryshime për drejtësi e për zhvillim, për mirëqenie e për punësim, për liri e për demokraci. Bashkë me deputetët e Lëvizjes do të jemi në krye të detyrës sipas zotimeve tona e sipas nevojave të shoqërisë", thotë Kurti.
Kurti u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve me rastin e regjistrimi si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Dje keni pasur takim me ambasadoren gjermane Viets dhe më herët me ambasadorin amerikan. Çfarë po bisedohet në këto takime?
Kurti: Në njërën anë diskutohen sfidat e seancës konstituive, e cila do të mbahet më 3 gusht, të enjten, ndërkaq, në anën tjetër diskutohen qëndrimet dhe idetë e Vetëvendosjes atëherë kur ne të jemi në qeveri e që konsistojnë në 40 prioritetet e Republikës, përkatësisht në zhvillimin ekonomik të orientuar në investime e punësim, në ndërlidhjen e arsimimit me ekonominë, në shëndetësinë e cila bëhet cilësore me qeverinë tonë të ardhshme. Pastaj, diskutohet edhe për integrimet evropiane dhe euro-atlantike, me ç’rast, ne si përfaqësues të Vetëvendosjes, si udhëheqës të saj, theksojmë rëndësinë e partneritetit edhe bilateral, edhe multilateral, me shtetet e perëndimit e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë.
A do të merrni pjesë në seancë?
Kurti: Padyshim që i gjithë grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe mua, të 32 deputetët, do të jemi të enjten para orës 10:00 në Kuvendin e Republikës.
A po gjen mbështetje prej ambasadave programi juaj dhe idetë tuaja?
Në vitin 2014, ka pasur edhe kritere shtesë për qeverisjen e Vetëvendosjes, përveç votave. Tashmë mund të thuhet se nuk ekzistojnë kritere të tilla. Ne trajtohemi të gjithë në mënyrë të barabartë dhe kushdo që e formon shumicën parlamentare prej 61 deputetëve do ta krijojë qeverinë e cila do të pranohet e do të mbështetet nga faktorët ndërkombëtarë. Pra, nuk ka më kundërshtim për qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, siç e dimë, nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga vera e vitit 2014, i pari për këtë do ta ketë të drejtën i nominuari i PAN-it. Me këtë rast do të thoja se të enjten, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta zgjedhë për kryetar, një figurë politike e cila duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse e kurrsesi kontraverse. Dhe, ky deputet që do të bëhet kryetar Kuvendi në legjislaturën e gjashtë duhet të jetë shumë më i mirë sesa Kryetari i Kuvendit në legjislaturën e pestë.
Nëse Veseli do të jetë kandidati për kryetar, a do ta votoni?
Kurti: Natyrisht që jo dhe përpos kësaj do të shtoja se mënyra se si PAN-i po orvatet që ta krijojë shumicën parlametare për një qeveri e cila do të varej nga partia e Beogradit në Kosovë dhe nga blerja e ndonjë deputeti, edhe i bën dëm shtetndërtimit e demokracisë në Kosovë, por edhe nuk iu bën nder vetë atyre.
Keni pasur kritika për LDK-në kurse tash po i takoni për ta formuar qeverinë. A ka ndryshuar Vetëvendosje apo LDK-ja ndërkohë?
Kurti: Ne kemi pasur disa takime, por jo mjaftueshëm, dhe besoj se ato do të intensifikohen në ditët në vijim e posaçërisht pas 3 gushtit. Por ajo që mund të them tani është se unë besoj se është i mundshëm një dakordim programor, një platformë e përbashkët qeverisëse, në mënyrë që Kosovën ta vendosim në shtegun e progresit politik e kombëtar, shtetëror e instituconal dhe socio-ekonomik. Në javët në vijim, pavarësisht zhvillimeve politike apo ngecjeve institucionale Lëvizja Vetëvendosje do të rritet, ndërkaq edhe Kosova do të ngritet, qoftë kur ne ta formojmë qeverinë e re tash, apo edhe nëse e krijojmë pas zgjedhjeve të reja parlamentare.