Kurti shpalosi planin për politikat fiskale
Prishtinë, 12 maj - Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje shpalosën sot planin për politikat fiskale. Zhvillimi ekonomik sipas Vetëvendosjes arrihet përmes politikave fiskale në mbështetje ekonomike, stabilizimit ekonomik dhe zvogëlimit të pa barazisë.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti politikat fiskale, sa i përket tatimeve, tha ti ketë mbështetur në parimin e drejtësisë dhe barazisë. Për disa produkte ushqimore, tatimi do të jetë zero.
Vetëvendosje gjithashtu angazhohet për realizimin e barrës tatimore për shtresën më të varfër duke larguar tatimin në konsumet bazë, pra konkretisht, duke larguar tvsh-në nga mielli, kripa, vaji, sheqeri po edhe librat, tha ai.
Visar Ymeri po ashtu paraqiti skemën e tatimit në pagë sipas së cilës paga deri në 170 euro ka zero tatim, deri në 500 euro tatimohen me 5 % , pagat deri në 850 me 10 % ndërkaq deri në 1700 paguajnë 20 % tatim.
Paga e vjetër që e kemi marr për bazë është ajo e mesmja 450 euro në të cilën me sistemin aktual paguhen gjithsejtë 21 euro tatim dhe kjo pagë bruto është 406.50 euro. Me Lëvizjen Vetëvendosje tatimi për këtë pagë bruto është 12.88 euro, ndërkohë që paga neto rritet në 414.63 euro, tha ai.
Sipas Vetëvendosjes, Qeveria i ka përdorur politikat fiskale vetëm për grumbullimin e të hyrave buxhetore dhe për alokimin e mjeteve për shërbimet publike.
Kosova ka një shkallë prej 10 për qind tatimi në fitim. Tatimi në fitim do të rivlerësohet. Kjo politikë tatimore do të përdoret nga qevrisja jonë për të stimuluar hapjen e vendeve të reja të punës.
Me shkallëzimin Qeveria jonë do të ofrojë lehtësime tatimore për investimet që synojnë aktivitete prodhuese dhe hapjen e vendeve të punës. Çdo kompani që dëshmon riiinvestimin e fitimit për hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos në prodhim, do të lirohet nga tatimi në fitim.
Tatimi në pronë do të rivlerësohet për të balancuar barrën e tatimit në mes të popullatës sipas të mirave që përfitojnë nga shoqëria si dhe duke marrë parasysh nevojën e Kosovës për të punuar tokat bujqësore.
Si rrjedhim, tokat e papunuara do të tatohen më lart. Kjo do të bëhet me qëllim të motivimit për ta punuar tokën.
Qeverisja jonë përpos masave institucionale për luftimin e informalitetit, si metodë tjetër për forcimin e raporteve në marrëdhëniet e punës parasheh subvencionimin progresiv tatimor për punëdhënësit që punësojnë punëtorë të rinj dhe ata ekzistues, sipas numrit dhe statusit të ndërmarrjes sipas kësaj shkalle:
Nga 1 deri 10 të punësuar 1% të lirimit në tatime për çdo të punësuar; Nga 11 deri 50 të punësuar 0,5% lirimit në tatime për çdo të punësuar; Mbi 51 deri 200 të punësuar 0,3% lirimit në tatime për çdo të punësuar; Mbi 200 të punësuar 0,1% lirimit në tatime për çdo të punësuar.