Kurti prezanton kabinetin qeveritar
Prishtinë, 22 mars - Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, ku pritet të zgjedhet Qeveria e re e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kreun e partisë, Albin Kurtin për postin e kryeministrit.
Kurti gjatë paraqitjes së rezymesë para deputetëve tha se “pandemia mbetet sfida kryesore”, duke shtuar se menjëherë do të ketë një plan për të luftuar pandeminë.
“Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë", tha Kurti.
"Drejtësia, shëndetësia, arsimi dhe ekonomia kanë nevojë për reformë e cila duhet të fillojë shpejt”, shtoi ai.
Në pjesën e politikës së jashtme të vendit, Kurti tha se “aleanca me Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet”.
“Do të punojmë parreshtur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe pjesë e Bashkimit Evropian sepse ndajmë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfidueseve por ajo nuk ka alternativë për Kosovën”, tha Kurti.
Politikat e fqinjësisë, sipas Kurtit, do të avancohen mbi bazën e reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë. Ai tha se Kosova do të ngrisë padi për krim dhe gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, ai potencoi se ka çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut.
“Me Serbinë kemi çështje të hapura të cilat duhet të zgjidhen përmes dialogut. Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur”, tha ai duke shtuar se “pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve”.
Kurti prezantoi kabinetin qeverisës të përbërë nga 15 ministri, pesë prej të cilave janë propozuar që të udhëhiqen nga gra.
Kabineti i propozuar nga Kurti
Zëvendëskryeministër i parë, për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi
Zëvendës Kryeministre e dytë, dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministre e tretë, për Çështje të Pakicave dhe Të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi
Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
Ministër i Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi
Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci
Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj
Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
Ministër i për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka
Partitë opozitare kritikuan rezymenë e Kurtit. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se do të jenë kritik për qeverinë, por edhe do të korrigjojnë gabimet e ekzekutivit.
“Si opozitë synojmë të kontribuojmë në këtë stabilitet, jo duke qenë të nënshtruar, jo duke prodhuar dhe krijuar numra për qeverinë në shumicë, por duke respektuar vullnetin e qytetarëve, siç e kemi respektuar për ju edhe për vete. Ju në pushtet, e ne zë, korrigjues dhe kritik i secilit veprim tuaj”, tha Abdixhiku.
Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka cilësuar rezymenë e Kurtit si një listë dëshirash.
Ai theksoi se në fjalimin e Kurtit nuk u shpjeguan planet konkrete se kur mund të sigurohen vaksinat kundër COVID-19, kush do t’i sjellë ato dhe si do të bëhet vaksinimi i popullatës.
Hoxhaj shtoi se në rezymenë e Kurtit nuk u dëgjua të flitet për një politikë të fortë ekonomike, politikat për zhvillimin e arsimit dhe as për një politikë të jashtme të vendit, si orientim strategjik.