Kurti: Prania e policisë reduktohet, kur të largohen bandat kriminale
Prishtinë, 1 qershor - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kundërshtuar mundësinë që të zvogëlohet prania e policisë në veriun e Kosovës afër objekteve të ndërtesave, derisa vazhdojnë protestat e dhunshme atje.
Ai tha se prania e policisë do të reduktohen, atëherë kur bandat kriminale të cilat adhurojnë Sllobodan Millosheviqin dhe Vladimir Putinin do të largohen drejt Serbisë.
“Unë natyrisht mund ta paramendoj zvogëlimin e policisë në ndërtesat e komunave atëherë kur të largohen këto banda që adhurojnë Millosheviqin e Putinin. Ata ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo s’ka mundësi që të mos i mbrojmë asetet publike nga bandat e këtilla. Kur të largohen mund ta zvogëlojmë numrin”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka folur edhe kryetarët e komunave, të cilët, sipas tyre duhet ta vazhdojnë punën nga ndertat publike komunale.
“Unë besoj që vendi i punës së kryetarit të komunës duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës, sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesë e Republikës. Mirëpo vendi i punës së kryetarit është në atë ndërtesë, dhe unë besoj që është mirë të gjithë të jenë atje. Ata kandidatë që kanë garuar dhe kanë fituar, duhet ta bëjnë punën, sepse për të paguhen nga Ministra e Financave”, tha Kurti.
Kryeministri është deklaruar edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai tha se marrëdhëniet janë të shkëlqyeshme, edhe pse nganjëherë ka raste që për çështje të caktuara, Kosova dallon me Amerikën në qasje.