Kurti: Opozita i ka dhënë goditje Serbisë
Tiranë, 23 janar - Në një sallë të mbushur mbi kapacitetin, në Muzeun Kombëtar në Tiranë, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje! mbajtën një tubim të përzemërt dhe entuziast me qytetarë ditën e sotme.
Takimi i cili nisi në orën 15:30 minuta pa sot të tubuar me shumë qytetarë, intelektualë, publicistë, artistë, veprimtarë, gazetarë dhe studentë të Tiranës të cilët pritën me duartrokitje mbërritjen në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar të Kryetarit të Vetëvendosje!-s Visar Ymeri si dhe të deputetëve Glauk Konjufca e Albin Kurti.
Në fjalën e tij Visar Ymeri u ndal në zbërthimin teknik të asaj që përfaqëson Zajednica e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë si dhe pasojat që do të vuajë Kosova nga zbatimi i saj.
Glauk Konjufca bëri një shpjegim të avancimit të projektit antishqiptar të Serbisë në Kosovë përmes frymëzimit, mbështetjes dhe fuqizimit të tyre përgjatë viteve të fundit.
Albin Kurti foli nevojën që shqiptarët kudo ndodhen në Ballkan të ndërgjegjësohen për sfidat dhe rreziqet që ofron e ardhmja në dritën e orekseve grabitqare të afishuara nga fqinjët. Ai bëri thirrje që shqiptarët kudo ndodhen duhet të jenë të përgatitur, të fuqizojnë ekonomitë dhe shtetet e tyre dhe se përpjekja e Vetëvendosjes për ndaljen e projektit të Zajednicës dhe demarkacionit kufitar me Malin e Zi shkon pikërisht në këtë drejtim.
Përmes duartrokitjeve të të pranishmëve Kurti u shpreh se "me anë të protestave dhe aksionit të fundit politik të Vetëvendosje!-s në Kosovë i është dhënë një goditje jo Qeverisë së Kosovës, por Serbisë dhe planeve të saj në Kosovë".
Më pas, qytetarë të shumtë kanë marrë fjalën duke u drejtuar pyetje dhe duke bërë komente për mysafirët e Vetëvendosje!-s nga Prishtina.
"Ju duam të vini më shpesh", "ne shqiptarët duhet të flakim më në fund druajtjen tonë ndaj projektit tonë të shenjtë të bashkimit kombëtar", u shprehën disa prej tyre.
Takimi vazhdoi me pyetje dhe përgjigje në një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazëror.