Kurti: Ne kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve
Prekaz, 6 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga Kryetarja e Kuvendit, znj, Vjosa Osmani, kanë bërë sot homazhe te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe Familjes Jashari në Prekaz, me rastin e 22- vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.
Kryeministri Kurti tha se pas seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës dhe pas parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot, u bënë bashkë në Prekaz për të nderuar 22-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, për të bërë homazhe te varret e Jasharajve, të kësaj familjeje e cila siç theksoi kryeministri Kurti e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
“Ne kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve dhe këtë do të mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi” u shpreh kryeministri Kurti, duke bërë të ditur se pas këtyre homazheve, do të vizitojnë edhe familjen Jashari, përkatësisht bacën Rifat.