Kurti: Kryetarët e Listës Serbe çetnikë
Prishtinë, 15 dhjetor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka bërë thirrje që të mos pranohet Lista Serbe që sipas tij, është e përbërë nga çetnikët. Kurti ka kundërshtuar edhe vendet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës.
U thoni jo çetnikëve të Listës Serbe se kështu i thoni po republikës dhe historisë sonë. I thoni jo Qeverise Thaçi, sepse kështu i thoni po popullit dhe ardhmërisë se fëmijëve tuaj, ka thënë Kurti në mbledhjen e XII të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosje!-s.
Kurti u ka bërë sërish thirrje të gjitha subjekteve politike dhe po ashtu deputetëve që tu thonë jo ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, pasi që, sipas tij, në atë mënyrë do ti thonin po demokracisë.
Vetëvendosje! e ka konsideruar madhështore fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë, por nuk janë të kënaqur derisa nuk fitojnë në gjithë Kosovën. Nuk jemi të kënaqur me atë që kemi arritur dhe gjithmonë do të jemi të pakënaqur derisa nuk fitojmë plotësisht dhe gjithandej nëpër Kosovë.
Mirëpo, me një dhjetor korrëm një fitore të madhe në balotazh në Prishtinë ku nënkryetari ynë, Shpend Ahmeti mundi kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa i cili kishte qenë gjashtë vjet në pushtet nga 13 sosh sa ishte partia e tij në kryeqytet. Është fitore madhështore sepse është tërësisht e pastër. Këso fitore nuk ka në Kosovën e pasluftës, ka thënë Kurti.
Sipas tij në këto tetë vjet e gjysmë të zhvillimit e ballafaqimit të Lëvizjes sonë, ky është momenti kyç, njësoj sikurse ai i vitit 2010 kur përveç protestave, demonstratave e aksioneve direkte vendosëm dhe hymë edhe brenda Kuvendit të Kosovës për herë të parë.
\"Në fakt, ky moment është edhe më i rëndësishëm. Tash nuk i kemi gjashtë muaj kohë sikurse prej qershorit në dhjetor të vitit 2010 sepse ende pa u bërë as tre muaj do të na vlerësojnë për qeverisjen në Prishtinë. Hallexhinj ka shumë dhe pritjet janë të mëdha. Shpendi dhe ekipi i tij kanë nevojë për shumë ndihmë dhe përkrahje nga të gjithë ne. Vota për Shpendin nuk shënon fundin por fillimin e pafund të punës deri në realizimin e të gjitha zotimeve që do ta transformojnë përgjithmonë komunën më të madhe të Kosovës e kryeqytetin e Republikës sonë\", ka theksuar ai.
Sipas tij kur ndryshon Prishtina nuk mund të mbetet e njëjtë më as Kosova. Ne duhet të japim shembull, ne duhet të bëhemi shembull për secilën komunë tjetër, për çdonjërin zyrtar kudo e kurdo në Kosovë. Betejat kryesore i kemi para nesh dhe jo pas nesh. Por, kjo vetëm sa do të thotë që fitoret kryesore po ashtu i kemi para nesh\", ka deklaruar ai.
Sipas tij viti 2014 është viti më i rëndësishëm në Kosovën e pasluftës. Ky vit është i pakrahasueshëm me të tjerët sepse është vit kur VETËVENDOSJE! do të qeveris, sepse është vit kur duhet shpëtuar Republika dhe duhet ngjallur shpresa për zhvillim. Në vitin 2014 do të shohim gjëra të papara në Kosovë: do të shohim qeverisje të mirë dhe demokratike, do të shohim kryetar modest që i bën njerëzit krenarë, do të shohim punë me plan dhe sipas ligjit.
\"Sfidat për VETËVENDOSJE!-n në vitin 2014 do të jenë jo vetëm elektorale. Madje si dhuratë për Vitin e Ri duan ta shesin PTK-në, në vitin e ardhshëm ti vazhdojnë ulëset e rezervuara përtej planit të padrejtë të Ahtisaarit, ndërkaq në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ta sjellin në Kuvend listën Serbe, një formacion ky çetnik e i përbërë prej çetnikëve. Lista Serbe nuk janë thjesht serbë. Ata janë çetnikë\", ka pohuar ai.
Sigurisht që u dëshmua se ne kemi pasur të drejtë. Kur kemi vendosur panot me parulla në Kuvend, kur kemi insistuar që të mos mbahet seanca e turpshme e ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë, kur me tenda kemi qëndruar te dyert e Kuvendit, edhe natën në të ftohtë, për të mos lejuar amnistimin e kriminelëve serbë, deputetët dhe analistët e regjimit merreshin aq shumë me neve. E, tash, ja ku i kemi çetnikët në pushtet në nëntë komuna të Kosovës.
Kur ne thoshim që po sajohet Republika Serbe në Kosovë na shanin e na fyenin, na përqeshnin e zgërdhiheshin. Tash, që të gjithë po thonë se Republika Serbe është rrezik fort i mundshëm. Por, kjo është tepër pak, tepër vonë, dhe aspak e sinqertë.
Qysh në dhjetor të vitit 2011 nisëm mocionin për mosbesimin ndaj Qeverisë dhe u bëmë thirrje LDK-së e AAK-së që ta rrëzojmë këtë Qeveri, thirrje kjo e përsëritur disa herë. Prej shkurtit të vitit 2013 vumë bazat e strategjisë për bllok opozitar që sërish hasi në vesh të shurdhër\", ka pohuar ai.
Kurti ka deklaruar se ne edhe sot u bëjmë thirrje subjekteve tjera dhe të gjithë deputetëve. U thoni JO ulëseve të rezervuara sepse kështu i thoni PO demokracisë, u thoni JO çetnikëve të Listës Serbe sepse kështu i thoni PO Republikës dhe historisë së saj, i thoni JO qeverisë Thaçi sepse kështu i thoni PO popullit dhe ardhmërisë së fëmijëve tuaj.
\"Përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, serbët në Kosovë ishin të mbipërfaqësuar dhe numri i popullsisë së tyre shtohej më shumë nga Beogradi sesa nga nataliteti. Kështu është edhe sot e kësaj dite teksa po hyjmë gjithnjë e më thellë në shekullin XXI. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë apo kudo tjetër, mirëpo, anëtarët dhe përfaqësuesit e Listës Serbe janë çetnikë. E morën pushtetin në nëntë komuna të Kosovës dhe në vitin e ardhshëm po bëhen gati që ti marrin mbi 20 vende në Kuvendin e Kosovës\", ka pohuar ai.
Sipas tij duket që tash Daçiqi po ia përgatit Thaçit një vizitë në veri. Atij po i nevojitet Thaçi.
\"Sepse edhe Trepçën e Ujmanin po duan ti sjellin në tryezën e Brukselit, ku Thaçi flet e shërben kurse Daçiqi ushqehet e majmet. Pra, pavarësia e Kosovës fare nuk e paska nënkuptuar që Trepça e Ujmani janë tonat! Cili është kuptimi i shpalljes së pavarësisë së një territori gjersa shumëçka brenda tij duhet negociuar e rinegociuar? Po del që me shpalljen e pavarësisë nuk ka ndryshuar Kosovë së brendshmi por së jashtmi: Mitrovica mbetet e ndarë, por fituam ambasada\", ka theksuar ai.
Sipas tij në këtë Republikën e Dytë të Kosovës sovraniteti i shtetit konsiston vetëm nëpër ambasada jashtë vendit e jo në territorin dhe institucionet brenda tij.
Kurti ka deklarur se KFOR-i, EULEX-i dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, jo vetëm ndërkombëtarë por edhe vendës, nuk ndërhyjnë ndaj dhunës e krimeve të strukturave të Serbisë në veri, sepse ato konsiderohen akte politike që i trajton dhe zgjodh dialogu Bruksel. Pra, në veri ka suspendim të ligjit dhe çdoherë gjithçka i nënshtrohet dialogut dhe kompromiseve atje si instancë supreme vendimmarrëse.
\"Konteksti politik i negociatave në Bruksel është ai që të drejtat e serbëve në Kosovë i bën të drejta të Serbisë mbi Kosovën. Po ndryshohet vazhdimisht shteti i Kosovës në mënyrë që kudo të jetë e pranishme Serbia. Thaçi është demokrat e zemërgjerë ndaj Serbisë, kurse autoritar e meskin brenda Kosovës. Kontributi personal i Thaçit për largimin e Serbisë nga Kosova tashmë është më i vogël sesa kontributi i tij për kthimin e Serbisë në Kosovë. Për 14 muaj u takua 20 herë me Daçiqin\", ka pohuar ai.
Sipas tij për vitin 2014 na nevojitet një organizatë e re. Sepse na nevojitet aktivizim e mobilizim i paparë i anëtarësisë e qytetarisë. Gjendja është tepër e rëndë që të rregullohet shumë kollaj. Gjendja është duke u përkeqësuar me shpejtësi shumë të madhe që të mjaftohemi me kapacitetet aktuale. Ne duhet të mirëpresim të tjerët dhe ti shtojmë radhët; të shtojmë rregullin dhe ti shtrëngojmë radhët.
Në njërën anë kemi ushtrimin e drejtë të pushtetit në komunë dhe qeverisjen e mirë në kryeqytet, kurse, në anën tjetër, duhet ta ndalim Qeverinë që në emër të shpalljes së pavarësisë po na e zhbën Republikën, e në emër të luftës çlirimtare po ia fal krimet e luftës Serbisë.
\"Viti 2014 është vit i jashtëzakonshëm për Kosovën, shqiptarët dhe Lëvizjen tonë. Viti 2014 e do një organizatë të jashtëzakonshme të VETËVENDOSJE!-s. Viti 2014 është viti kur Qeveria duhet ti frikësohet dhe do ti frikësohet popullit e jo më anasjelltas\", ka theksuar ai.
\"Nuk ka asnjë problem nëse qytetarët ia kthejnë shpinën Qeverisë sepse Qeveria edhe ashtu nuk do ta shohë këtë veprim: Qeveria shumë moti ia ka kthyer shpinën popullit\", ka theksuar ai.