Kurti: Kjo Qeveri po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës
Prishtinë, 14 tetor - Në takimin e sotëm të VI-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje serish u kritikua qeveria për gjendjen e rëndë ekonomike e politike në Kosovë.
Lideri i kësaj lëvizjeje Albin Kurti, theksoi se situata politike dhe ajo ekonomike në vend, vazhdon të mbetet shumë e rëndë, për çka ai sërish fajësoi qeverinë aktuale të vendit. Kurti tha se me daljen e deputetëve nga koalicioni qeverisës, tashmë nuk mund të flitet se a mund të rrëzohet kjo qeveri, por vetëm a duan deputetët ta bëjnë këtë.
Në këtë mandat, Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti i vetëm në Kosovë i cili qysh me 12 shtator të vitit të kaluar ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje! është sërish subjekti i vetëm në Kosovë i cili me 4 dhjetor të vitit të kaluar ka ndërmarrur nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Kurti, tha se qeveria aktuale duhet të jap dorëheqje sa më shpejtë me qëllim që vendi të shpëtoj nga kriza.
"Nëse para një viti dukej se ekzistonte dëshira për ta rrëzuar Qeverinë porse mungonte mundësia për ta bërë këtë, sot ekziston mundësia dhe duhet ta dokumentojmë vullnetin. Pra, tash çështja nuk është se a mundemi ta rrëzojmë këtë Qeveri por a duam ta rrëzojmë këtë Qeveri", ka thënë Kurti.
Ndërsa, largimin e dy deputetëve nga koalicioni qeverisës, Kurti e quajti ndërgjegjësim të tyre për pasojat e mjerimit social dhe rrënimit politik që kjo qeveri po ia sjell Kosovës.
Deputetët që po ndërgjegjësohen që po dalin nga koalicioni qeverisës, i cili Kosovës po i sjell veçse ditë të zeza të mjerimit social dhe rrënimit politik, kanë bërë që numri i deputetëve që e përkrahin këtë qeveri të jetë më i vogël se 60. Prandaj, tash nuk është çështja se a mundemi ta rrëzojmë këtë qeveri, por çështja është se a duam ta rrëzojmë këtë qeveri, theksoi Kurti.
Sa i përket rrëzimit të mocionit kundër privatizimit në seancën e kuvendit, Kurti tha se Plani i Ahtisarit është zgjidhje brutale kundër demokracisë e cila është vënë, sic tha ai, në shërbim të privatizimit brutal të Kosovës. Kurti ndërkaq shtoi se me ata që vjedhin vota është e pamundur të arrihet reforma zgjedhore.
Qëllimi i marrëveshjes së tre kryetarëve partiak në prill të vitit të kaluar, ishte emri i presidentes në zarf dhe jo reformat zgjedhore a kushtetuese. Nuk mund të merresh vesh me ata që organizuan vjedhjen e votave për reformë zgjedhore, tha ai.
Në këtë takim, u bë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta mbështesin nismën e Vetëvendosjes për rrëzimin e qeverisë, nismë kjo, që sipas Kurtit, duhet të aktualizohet sërish.
"Ne të Lëvizjes Vetëvendosje! ju bëjmë thirrje edhe njëherë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin nismën tonë përherë aktuale për rrëzimin e kësaj Qeverie, nismë kjo që ne duam ta riaktualizojmë dhe duhet ta riaktualizojmë", ka theksuar Kurti.
Deputetët e opozitës por edhe deputetë të pozitës sipas tij e dinë që kjo Qeveri po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës politikisht, ekonomikisht e moralisht.
"Një ditë më shumë me këtë Qeveri është një ditë më pak për Kosovën. Secili deputet që e dëgjon mendjen dhe zemrën e vet nuk është për këtë Qeveri. Këtë zë të brendshëm e privat të deputetëve le ta bëjmë zë publik që ta nxjerrim jashtë këtë Qeveri."