Kurti: Kerry nuk përzihet se kush bëhet president në Kosovë
Prishtinë, 14 shkurt - Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, tha se SHBA brengoset për gjendjen në Kosovë dhe tha se populli i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen amerikane.
Sidoqoftë, ai tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin me SHBA-në.
Gjendja në Kosovë nuk është e mirë. Kerry vizitoi Prishtinën në fund të vitit të kaluar. E në fillim të këtij viti po viziton Tiranën.
Kjo është një vizitë e rëndësishme edhe për vendin por edhe për kohën kur po ndodhë.
Shumica e njohjeve të Kosovës nuk do të ndodhte pa SHBA-në dhe ne jemi falënderues për këtë.
Por shqiptarët duhet ta thellojnë aleancën pra të bëjnë bashkëpunim për të ardhmen dhe jo për të kaluarën.
Shqipëria duhet të forcojë ushtrinë, e Kosova duhet të formojë ushtrinë. Prandaj, ne duhet të kemi më shumë bashkëpunim në çështjen e sigurisë, tha Kurti, transmeton lajmi.net.
I pyetur se nëse kjo vizitë e Kerryt është mbështetje për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president, Kurti tha se nuk beson se sekretari amerikan përzihet se kush do të duhej të ishte president i Kosovës.
Besoj se nuk është kjo vizitë për mbështetje për Thaçin president. Nuk besoj se zoti Kerry përzihet se kush do të bëhet president në Kosovë, tha Kurti.