Kurti: Kam përkrahjen e ambasadorëve për Qeverinë
Prishtinë, 26 korrik - Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, gjatë një interviste për gazetën Zëri ka bërë të ditur se edhe ambasadorët e rëndësishëm ndërkombëtarë në Kosovë ia kanë ofruar mbështetjen e tyre nëse i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë.
Sipas tij, diskrecioni i presidentit Thaçit nuk është aq i rëndësishëm sa të dalë kundër votës së popullit, kundër shumicës në Kuvend dhe kundër ndërkombëtarëve.
Presidenti Hashim Thaçi nuk guxon ta shfrytëzojë postin e tij për të luajtur me vullnetin e popullit dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Nëse PAN-i dështon ta bëjë Qeverinë, ai duhet tia japë shansin lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja.
Sipas Kurtit, përmes zgjedhjeve të fundit populli tregoi se e do një qeverisje nga LVV-ja, mbështetjen ndaj së cilës e kanë konfirmuar edhe ambasadat kryesore të huaja në Prishtinë. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të qeveriset nga PAN-i, i varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e ku rreziqet do të ishin të paditura dhe të papritura.
Megjithatë, kandidati i lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër thotë se kjo do të ndodhte vetëm përkohësisht, sepse Vetëvendosja tani ka fuqi të mjaftueshme për ta ndalur PDK-në e vogël, siç e quan ai dhe për tu bërë gati për zgjedhje të shpejta.
E nëse do të kishte sërish zgjedhje të reja, sipas Kurtit, Vetëvendosja do të dilte me mbi 40 deputetë. Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos të shmangin përsëritjen e zgjedhjeve, ka thënë ai.
Më tej, Kurti ka thënë se aktualisht Kosova i ka vetëm dy opsione. Të lejohet udhëheqja e PDK-së dhe SHIK-u që ta vazhdojnë plaçkitjen dhe kapjen e shtetit, apo të ndalet përfundimisht kjo gjë, me një qeverisje të Lëvizjes që do të punonte për krijimin e shtetit të së drejtës, ka thënë ai.
/Zëri/