Kurti: Ish-Qeveria sipas tij nuk i bëri nder as popullit as shtetit
Prishtinë, 3 nëntor - Sot më 3 nëntor Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit në vend ku sipas liderit te kësaj lëvizjeje Albin Kurti Lëvizja Vetëvendosje! çdo ditë e më tepër po forcohet dhe organizohet dhe vetëm organizimi i fuqishëm e bën ndryshimin.
Dje Kosova u bë edhe me ish-qeveri, sikurse ishte edhe me ish-president. Kjo nuk ndodhi për shkak të interesave nacionale, por për shkak të interesave të ngushta partiake. Mirëpo rënia e djeshme e qeverisë ishte veç formale, sepse rënia ka filluar që nga themelimi i saj. Ajo rënie ka filluar nga momenti kur kjo Qeveri na i ka kontrabanduar Flamurin e Kushtetutën, kur festonte në Prishtinë e neve na digjeshin pikat kufitare me Serbinë, kur pranoi planin 6 pikësh, protokollin me Serbinë, filloi zbatimin e ndarjes së Kosovës përmes decentralizimit etnik dhe filloi shpronëzimin e Kosovës me anë të privatizimit së pronës publike, ka theksuar ai.
Kjo ish-Qeveri sipas tij nuk i bëri nder as popullit as shtetit, sepse ishte me sovranitet të cunguar dhe e korruptuar moralisht e financiarisht.
Kjo ish-Qeveri e kishte humbur legjitimitetin, sepse ishte Qeveri e votuar nga shumica e pakicës dhe krejt çka ndodhi dje ishte se deputetët ja morën edhe të drejtën e ngushtë ligjore për të qeverisur, duke e ndihmuar kështu Thaçin, për tia ndalur këtu theqafjen e thellë në të cilën ishte nisur, përfundoi Albin Kurti.
Florin Krasniqi, potencoi se flet për here të pare në cilësinë e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe tha se dikur disa njerëz më kishin bindur të punoj kundër okupimit të Serbisë, sot jam i bindur se duhet të punoj kundër okupimit të vendit tone nga rrugaçët, dhe ata lokalë, nacionalë dhe ndërkombëtarë.
Të parët sipas tij vjedhin lopën e qytetarit, të dytët vjedhin pasurinë publike, ndërsa të tretët sipas Krasniqit po e mbajnë Kosovën të varur në këtë situate që është.
Kurrë nuk kam menduar se do të vij në kësi situate, mirëpo unë nuk do ti kursej kapacitetetet e mia, morale, intelektuale dhe materiale për ta çliruar atdheun tim nga këta kriminelë. Unë besoj në vitalitetin dhe zgjuarsinë e popullit, të cilin nuk e kanë mbajtur dot as perandoritë e mëdha, aq më pak këta rrugaçë.
Flaka Dika tha se Lëvizja Vetëvendosje! është e gatshme jo vetëm për zgjedhje, por edhe për ndryshime rrënjësore të domosdoshme në Kosovë.
Deri më tash i kemi krijuar 22 Këshilla të Qendrave nëpër komunat e Kosovës, të cilët janë duke punuar për çdo ditë në teren, në organizimin e pikave në nivel lagjesh dhe fshatrash, tha ajo.
Falë këtij organizimi sipas znj. Dika janë anëtarësuar mbi 7270 anëtarë të rinj në Lëvizjen Vetëvendosje!
Gjatë 2 javëve të fundit janë anëtarësuar mbi 1000 vullnetarë që po e ndihmojnë punën tonë, ndërkaq Qendra jonë në Universitetin e Prishtinës ka anëtarësuar 830 anëtarë, nga të cilët 62% janë vajza, përfundoi Flaka Dika.