Kurti: I kuptojmë shqetësimet e ndërkombëtarëve, por kemi obligime kushtetuese
Prishtinë, 27 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas situatës së tensionuar në veri të vendit ku përmes një postim në Facebook, ka thënë se i kupton shqetësimet e ndërkombëtarëve, por se çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj të komunave veriore.
Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës.
Kryeministri Kurti ka thënë së shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme.
"Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër."
"Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, ka theksuar Kurti.
Ai fton të gjithë qytetarët, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Sipas tij, ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve.
“Dëshiroj të falenderoj pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit. Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah.
“Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri. Rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët”, ka theksuar kryeministri Kurti.